PDK në Mitrovicë me kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti për 11 milionë eurot për rrymën e banorëve të veriut
Vendimi i Komisionit parlamentar të Ekonomisë që KOSTT t’i paguajë 11 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga banorët e komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës ishte temë e nxehtë e debatit gjatë mbledhjes së Asamblesë Komunale të Mitrovicës.
Gjatë së mbledhjes në mesin e shumë pikave të rendit të ditës ishte edhe propozimi i asamblistit të PDK-së Fadil Veseli, i cili ka propozuar fillimisht që ekzekutivi i Mitrovicës të përgatisë një listë të banorëve të cilët jetojnë në pjesën jugore, por që janë të ardhur nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës.
Veseli tha se sipas tij qëllimi i këtij propozimi ishte që të ndihmohen qytetarët të cilët ishin shpërngulur nga pjesa veriore e qytetit në mënyre që t’u lehtësohen shpenzimet dhe të lirohen nga pagesa e energjisë elektrike në vlerë prej 30 euro në muaj, raporton Kallxo.com.
Ky propozim u bë pjesë e rendit të ditës por ngjalli shumë polemika ndërmjet asamblistëve të PDK-së dhe Izet Tahirit nga LVV.
I zëshëm në këtë ishte edhe Donjet Bislimi nga PDK-ja, i cili e ka quajtur skandaloze deklaratën e deputetes Mimoza Kusari-Lilës dhënë dje gjatë mbledhjes së Komisionit për energji, për heroin Enver Zymberi.
“E para, LVV që tetë vjet është në qeverisje lokale tash dhe në qendrore, dhe vazhdimisht silleni si me qenë aktivistë, por kur je në pushtet duhet me pasë përgjegjësi… gabimet e PDK-së nuk janë arsyetim që me vazhdu ju me pagu e me vepru njëjtë, sepse ju keni ardh në pushtet duke i kritikuar të tjerë, ..çka ka ndodh në komision dje ose pardje është gabim, deklarata e Mimoza Kusarit është skandal…”, tha Bislimi.
Propozimin e bashkëpartiakut të tij e ka përkrahur edhe Sami Latifi.
“Para disa viteve të gjithë e dimë se në pjesën e jugore ka pasur reduktime të rrymës dhe secili kur ka shiku në mbrëmje ka pasë mundësi që atje ka pasur non-stop rrymë, është mirë që t’i bëhet një shkresë Kuvendit, gjegjësisht Komisionit për energji, zonjës Kusari… Unë e di që secili prej juve është ndje keq për këtë që ka ndodhur (duke iu drejtuar asmamblistëve të LVV), është mirë me bo diçka prej këtu me çu në Qeveri të Kosovës, Parlament të Kosovës. Enver Zymberi ka ardh si hero këtu…”, tha Latifi.
Fillimisht këtë propozim e përkrahu edhe asamblisti i LVV-së, Izet Tahiri, duke e quajtur si ide të mirë propozimin, por diskutimet pas përmendjes së 11 milionëshit nga asamblistët e PDK-së shkaktuan një debat të fuqishëm ndërmjet Tahirit të LVV dhe Bislimit e Latifit të PDK-së, e po ashtu edhe ndërmjet kryetarit të Kuvendit, Safet Kamberi, i cili mundohej të qetësonte situatën e krijuar, raporton KALLXO.com
“Ideja si ide ke e mirë e patë brenda saj një jehonë politike… Unë jam me vazhdu këtë punë që për secilin qytetar të veriut që jeton në jug me iu pagu rryma”, ishin disa nga fjalët e Tahirit.
Kurse Vesel Neziri nga PD, ka kritikuar nivelin qendror, duke thënë që 11 milionë euro t’u jepen edhe qytetarëve shqiptarë.
“Jam shumë i bindur që komuna e Mitrovicës nuk ka me mujtë me i mbulu këto shpenzime, nëse jo qeveria ka ardhë me tendencë me zhvillu ketë vend, mirëpo mënyra qysh ka fillu nuk po me pëlqen… për 28 ditë me i fal 11 milionë euro… Unë po mendoj që na si kuvend komunal me iu drejtu Qeverisë që këto 11 milionë euro me ia dhënë edhe qytetarëve shqiptarë, unë po mendoj që këto shpenzime me i mbulu Qeveria“, tha Neziri.
Pas shumë diskutimeve, asamblistët ka vendosur për nxjerrjen e një konkluzioni- Propozim- vendim me të cilin obligohet ekzekutivi i Komunës që brenda një periudhe njëmujore ta përgatisë listën e banorëve te veriut që jetojnë me qira dhe raste sociale ndërsa në seancën tjetër do të merret vendim për lirimin e tyre nga pagesa për energji elektrike 30 euro në muaj.