Foto: Ilir Baldedaj/Facebook

Kandidati i akuzuar nga AAK-PSD nuk paraqitet në Gjykatë

 

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD,  Ilir Baldedaj nuk është paraqitur në Gjykatë përkundër faktit se gjykata ka konstatuar se i njëjti ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt dhe ka qenë i njoftuar për seancën e sotme.

Seanca e paraparë të fillonte në ora 09:00 dështoi të mbahej, e përpos të akuzuarit Ilir Baldedaj mungoi edhe mbrojtësi i tij avokati Visar Haxhibeqiri, i cili ditën e premte me një shkresë ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në Gjykatë sepse kishte të caktuar termin për vizë në Ambasadën Suedeze.

Seanca ndaj Ilir Baldedajt – 23.09.2019

I akuzuari Ilir Baldedaj nuk u paraqit fare në sallë të gjykimit, ndërsa seanca e ardhshme u caktua me datë 28 tetor, kësisoj i akuzuari Baldedaj mund të vazhdojë fushatën e tij për zgjedhjet e 6 tetorit.

I njëjti po përballet me aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, gjatë periudhës 2015 dhe 2016, për kohën sa ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, nën qeverisjen e Ramadan Mujës.

Deputetët e Prizrenit i testojnë laptopët luksozë

Kallxo.com kishte raportuar se Baldedaj i dënuar më parë nga Gjykata dhe tashmë i akuzuar është kandidat për deputet në listën e koalicionit AAK – PSD.

Deputetët e Prizrenit i testojnë laptopët luksozë

Në nëntor të 2017-ës, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Më 25 Maj 2018 Baldedaj u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht, ndërsa në shkurt të vitit 2019, ky dënim u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Ndaj tij pas një hulumtimi nga Kallxo.com me 22 gusht Prokuroria e Prizrenit ka ngritur një aktakuzë tjetër,  për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj nuk është kandidati i vetëm nga radhët e AAK-së që po garon në këto zgjedhje e i cili po përballet me ligjin.

Shkumbin Demaliaj është njëri nga kandidatët e AAK-së për deputet për zgjedhjet e 6 tetorit i cili po përballet me dy aktakuza. Njëra ka të bëjë më “fryrjen e listave të veteranëve”, ndërsa disa ditë më parë i është ngritur aktakuzë për kanosje, lidhur me deklarimet e tij ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj.

Me dy aktakuza, kandidat për deputet nga AAK-ja

Baldedaj akuzohet se prej datës 13.05.2018 e deri me datën 22.05.2018 ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare (laptopë dhe çanta të laptopëve) për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh.

Në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizatat buxhetore.

Aktakuza thotë se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.