Komuna e Prishtinës ndan 50 mijë euro për Shoqatën e Gastronomisë

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka votuar sot propozim-vendimin për subvencionim të Shoqatës së Gastronomëve me 50 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se kjo Shoqatë është nga krijuesit më të mëdhenj të vendeve të punës në qytet. Ai po ashtu shtoi se me këto para, do bëhet një studim për shtrirje të terrasave dhe zhurmës nga këto kafiteri.

“Për herë të parë po e them se janë nga shoqatat më të organizuara, edhe kësaj here duam t’i ndihmojmë si vitin e kaluar që i liruam nga taksat. Si shoqatë janë nga punëdhënësit më të mëdhenj në kryeqytet. Ne kemi kërkuar që me këto 50 mijë euro’ të rregullohet çështja e terrasave dhe hapësirave gjelbëruese që po uzurpohen nga kafeteri të ndryshme. Duam qasje të barabartë, nuk mund të lejojmë zgjerim të pafund të terrasave. Vlera që është kërkuar nga shoqata, është shumë më e madhe. Ndarja e këtyre parave është për funksionalizim të kësaj shoqate”, tha Ahmeti.

Egzon Azemi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se të subvencionohet vetëm një shoqatë është e rrezikshme dhe se kjo ndihmë sipas tij po bëhet pasi kryetari ka afërsi me 5-6 pronarë të kafeterive.

“Ne propozojmë që të hiqen taksat si vitin e kaluar, sepse e konsideroj si të rrezikshme të subvencionohet vetëm një shoqatë të caktuar pasi ka edhe shumë tjera. Besoj se kjo ndihme më shumë vjen pasi kryetari ka krijuar jarani me disa pronarë të kafeterive”, tha ai.

Ahmeti për këto komente të Egzon Azemit tha se në këtë shoqatë ka më së shumti votues të Vetëvendosjes.

Ndërsa Agim Gashi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se komuna duhet të përkrahë këtë shoqatë dhe shumë tjera aq sa ka mundësi buxhetore.

Shumë asamblistë të tjerë konsideruan se ky lloj studimi i fizibilitetit për terrasa dhe zhurmë, nuk është i arsyeshëm, pasi sipas tyre, kjo gjë duhet të kryhet nga ana e komunës.