Agim Ademi, kryetar i FFK-së. Foto: Kallxo.com

Rrëzohet kallëzimi penal ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, dyshohej për keqpërdorim besimi dhe shmangie tatimore

Rasti ndaj Kryetarit të FFK-së, Agim Ademi i cili ishte arrestuar për keqpërdorim besimi dhe shmangie nga tatimi, nuk do të procedohet tutje.

Kjo pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal të bërë ndaj tij, i cili ishte paraqitur nga Njësia Rajonale e Hetimeve të krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë.

“Prokurori ka shqyrtuar dhe analizuar në tërësi shkresat e lëndës duke pasur parasysh, natyrën, rrethanat dhe karakteristikat e veprës penale dhe të kryerësve dhe zotimin e të dyshuarve se do t`i përmbushin detyrimet, ka vlerësuar se lënda i plotëson kushtet që të zgjidhet përmes procedurës Alternative përkatësisht të bëhet pezullimi i përkohshëm i procedurës në kuptim të nenit 227 të KPP-së”- thuhet në aktvendimin e Prokurorisë.

Ky vendim është marrë nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ali Hajdini më datë 29 shtator të këtij viti.

Sipas vendimit të prokurorisë të dyshuarit i kanë kryer pagesat në dobi të fondeve për kompensimin e dëmit të viktimave me veprat penale, duke kryer kështu detyrimet sipas aktvendimit të datës 27.09.2023.

“Konform nenit 227 paragari 1 nënparagrafi 1.2 të KPRK-së, të dyshuarit i kanë përmbushur detyrimet sipas aktvendimit të datës 27.09.2023, duke kryer pagesat në dobi të fondeve për kompensimin e dëmit të viktimave me vepra penale, në programin për kompensimin e viktimave të krimit”- thuhet në fund të vendimit të prokurorisë për hudhjen e kallëzimit penal për Agim Ademin dhe të tjerët.

Të dyshuar për këtë rast, pos Agim Ademit kane qenë M. Ç., A. D., I. A., dhe A. N. për veprën penale në bashkëkryerje keqpërdorim i besimit.

Edhe për të lartcekurit me vendim të prokurorisë është hedhur poshtë kallëzimi penal.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi  më 22 mars të këtij viti ishte ndaluar për 48 orë pas intervistimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit që kishte bërë Prokuroria, Ademi ishte ndaluar për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

“I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Një ditë më vonë, më 23 mars të këtij viti, Ademit i ishte caktuar masa e arresit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.