Agim Ademi, kryetar i FFK-së. Foto: Kallxo.com

ATK nuk e dha pëlqimin për pezullimin e rastit penal ndaj Agim Ademit

Rasti ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës – FFK, i cili ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim besimi dhe shmangie nga tatimi, nuk do të procedohet tutje, përkundër faktit që pëlqimi për këtë nuk ishte dhënë nga Administrata Tatimore e Kosovës, e cila ishte palë e dëmtuar në këtë rast.

Kodi i procedurës penale të Republikës së Kosovës për raste sikurse ky ndaj Agim Ademit e parasheh që pa pëlqimin e palës së dëmtuar nuk mund të pezullohet ndjekja penale ndaj të dyshuarit/ve.

Se nuk është dhënë pëlqimi për pezullimin e përkohshëm të procedurës penale, e cila i kishte paraprirë hedhjes së kallëzimit penal ndaj Agim Ademit, këtë e konfirmojnë nga vet Administrata Tatimore e Kosovës.

Në kërkesën për caktimin e arrestit shtëpiak, ATK konsiderohet palë e dëmtuar, në vlerë prej 8,337 euro.

Kërkesa për arrest shtëpiak ishte bërë më 23 mars të vitit 2023.

“Jo nuk ka marrë prej ATK-së pëlqim. Nuk është që është konsultuar Administrata Tatimore e Kosovës. Jo nuk ka {pëlqim} se i kam pyetur edhe Departamentin ligjor edhe hetimet tatimore”- tha Bytyçi.

Prokurori Ali Ajdini, cili ka nxjerrë aktvendimin për mbylljen e çështjes, ka deklaruar për KALLXO.com se nuk është në dijeni nëse ishte marrë pëlqimi nga ATK-ja para se të pezullohej ndjekja penale ndaj Agim Ademit.

“Nuk jam në zyrë, jam në Drenas, duhet me këqyr lëndën, jo se di, s`po më kujtohet, se di pa e këqyr lëndën”- tha prokurori Ajdini.

KALLX.com ka provuar të marrë një prononcim edhe nga vetë Agim Ademi, por që kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndërsa nga Federata e Futbollit të Kosovës, jemi ende në pritje të një përgjigje.

Në vendimin për hedhjen e kallëzimit penal i datës 29 shtator 2023, Prokuroria specifikonte se Agim Ademi, M. Ç., A. D., I. A., dhe A. N. kishin përmbushur detyrimet që ia ka përcaktuar Prokuroria në mënyrë që të bëhet hedhja e kallëzimit penal.

Këto detyrime sipas vendimit të datës 27 shtator të vitit të kaluar  i kishin caktuar grupit të Ademit që të paguheshin 13 mijë euro në mënyrë që të aplikohej procedura alternative ndaj tyre.

Kjo procedurë alternative njihet si “Pezullim i përkohshëm i procedurës penale”.

Nga një përllogaritje e thjeshtë del se për pesë të dyshuarit, secili është dashur që t`i paguaj nga 2,650 euro për të mos proceduar tutje rastin me aktakuzë.

Këto para në vlerë prej 13 mijë euro do të deponoheshin në fondin për kompensimin e viktimave.

Sipas Kodit të procedurës penale, një veprim i tillë për aplikimin e procedurës alternative i lejohet prokurorisë, por që duhet të këtë shprehimisht pëlqimin e palës së dëmtuar për t`u aplikuar procedura alternative “Pezullimi i përkohshëm i procedurës Penale”.

“Pezullimi i përkohshëm i procedurës: Prokurori i shtetit, me pëlqimin e të dëmtuarit mund të pezullojë ndjekjen për vepër penale të dënueshme me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet apo me gjobë dhe me burgim deri në katër (4) vjet, duke pasur parasysh natyrën, rrethanat dhe karakterin e veprës penale dhe të kryerësit, nëse i pandehuri zotohet se do të sillet siç është udhëzuar nga prokurori i shtetit dhe se do t’i përmbushë detyrimet e caktuara që pakësojnë ose mënjanojnë pasojat e dëmshme të veprës penale, duke përfshirë…”- specifikohet në Kodin e procedurës penale.

KALLXO.com më 29 nëntor të vitit 2023 kishte pyetur prokurorinë nëse pala e dëmtuar – ATK ka dhënë pëlqim lidhur me këtë rast, por nuk ka pranuar asnjëherë përgjigje nga ana e  Prokurorisë.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi më 22 mars 2023 ishte ndaluar për 48 orë pas intervistimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Historiku i rastit

Agim Ademi dyshohej se gjatë vitit 2021-2022 si person përgjegjës i FFK-së, ka bërë shmangie tatimore.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, i dyshuari nuk kishte paguar tatime mbi të ardhurat dhe kontributet pensionale për blerjen e veturës së tipit “Tiguan” për zyrtarin e saj *** si person fizik në shumën prej 20 mijë euro, si dhe nuk ka paguar tatimin për transferimin e 37 mijë eurove në xhirollogaritë e disa personave.

Me këto veprime sipas prokurorisë ishte dëmtuar ATK në vlerë prej 8,337 euro.

Kurse për keqpërdorim besimi i njëjti dyshohej se në shkurt të vitit 2021 ka keqpërdorur pozitën e tij si kryetar i FFK-së që t`i sjellë vetes ose tjetrit dobi pasurore.

Sipas Prokurorisë, i njëjti në kundërshtim me Statutin e FFK-së kishte pagur tri bileta për udhëtim në shumë prej 3,900 euro me mjete të FFK-së.

“Këto bileta janë shfrytëzuar për vete, djalin e tij dhe bashkëshorten e tij, vajtje – ardhje Prishtinë – Stamboll dhe Katar”- thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria tutje pretendonte se i njëjti dyshohej se më datë 13 shator të vitit 2021, si kryetar i FFK-së ka keqpërdorur autorizimet e tij për t`i sjellë tjetrit dobi pasurore.

Sipas prokurorisë i njëjti ka lejuar pagesën e faturës të datës 13 shtator 2021 e evidentuar në emër të *** si blerës, duke paguar me mjete të FFK-së shumën prej 20 mijë euro për blerjen e veturës ‘Tiguan’ 2017.

Gjithnjë sipas kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë – paraburgimit, Ademi më 23 mars 2022, dyshohej se ka lejuar pagesën në shumë prej 25 mijë euro, kurse më 29 mars 2022 shumën prej 12 mijë e 500 euro në xhirollogarinë private të ish kryetarit të KF “Feronikeli”, i cili pastaj i ka përdorur mjetet për nevoja private.

Sipas prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar FFK-së është 37 mijë euro.

KALLXO.com më 29 nëntor të vitit 2023 kishtë pyetur prokurorinë nësë pala e dëmtuar kanë dhënë pëlqim lidhur me këtë rast, por që nuk kemi pranuar asnjëherë përgjigje nga ana e Prokurorisë.

(Shënim: Tekstit i është shtuar një fjali e cila tregon që KALLXO në nëntor 2023 kishte kërkuar përgjigje nga Prokuroria, por që nuk ka marrë përgjigje. Koha e editimit: 14:24 – 06.02.2024)