I akuzuari akuzon prokurorin se “është privat e jo i shtetit”

Nën tensione të larta ka filluar rigjykimi ndaj të akuzuarve Senad Ramaj dhe Besim Osmani, të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ky shqyrtim i dytë është urdhëruar nga Gjykata e Apelit, pasi që Gjykata e Gjilanit të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat.

Në fillim të  seancës, prokurori i shtetit Agron Uka deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Mbrojtësi i të akuzuarit Senad Ramaj, avokati Engjëll Rexhepi deklaroi se edhe ky mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar.

I akuzuari Besim Osmani deklaroi se e kundërshton aktakuzën e ngritur nga një prokuror “Privat”.

“Prokurori i cili është këtu ju shërben grupeve të caktuara private dhe për mua mbetet prokuror privat dhe nuk është prokuror i shtetit. Kam kërkuar përjashtimin e tij nga kjo lëndë dhe do ta kërkoj prapë”, tha i akuzuari Osmani.

Prokurori iu kundërpërgjigj duke i thënë se i akuzuari me gjithë këtë “oratori”, nuk mund ta shfajësojë veten.

Ai po ashtu e kritikoi të akuzuarin për mënyrën e qëndrimit në gjykatë.

“I akuzuari nuk di të thirret në dispozita ligjore për përjashtimin e një gjykatësi ose prokurori, por vetëm parafrazon. Kërkoj nga gjykata që mos ta lejojë të akuzuarin të përdorë fjalë fyese ose unë e lëshoj seancën. Mos të lejohet i akuzuari qe para trupit gjykues të qëndrojë këmbë mbi këmbë duke ngrënë gomë (çamçakëz)”, tha prokurori.

I dëmtuari Muhadin Haziri deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se do të kërkojë kompensimin e dëmit.

Në vazhdim të seancës pas deklarimeve me tensione të larta gjykatësi ja tërheqi vërejtjen avokatit Engjell Rexhepi.

“Është hera e fundit që ta tërheq vërejtjen, në të kundërtën do të merren masa komfor ligjit”, tha Kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi.

I akuzuari Besim Osmani pas acarimeve në mes deklaratave të tij dhe Prokurorit, tha se “Prokurori më duket se nuk paska fjetur mirë mbrëmë”, deklaratë e cila e shtyu trupin gjykues të ja tërheq edhe këtij vërejtjen e fundit.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, Senad Ramaj akuzohet se si Drejtor i Kompanisë “Eco Higjiena”, në kundërshtim me ligjin, në muajin korrik të vitit 2015, ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar duke nxjerrë aneks statutin nr.513 pa pëlqimin e bordit të drejtorëve.

Tutje sipas  aktakuzës, Ramaj ka marrë edhe vendime në mënyrë të kundërligjshme për pagesa për avokatë të pa licencuar, me pagë prej 300 euro në muaj, brenda periudhës një vjeçare.

Kurse Besim Osmani, akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka falsifikuar autorizime për të përfaqësuar kompaninë “Eco Higjiena”, në konteste gjyqësore.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Bajram Isufi.

“Besim Osmanit nuk ju ka shfuqizu asnjë autorizim për përfaqësimin e kompanisë “Higjiena”. Organet e kompanis asnjëherë nuk kanë pasur vërejtje në punën e Besimit”, tha dëshmitari.

Seanca e sotme u shty për muajin janar 2020.