Prokuroria pezullon procedurën penale ndaj grupit të Agim Ademit pasi paguan 13 mijë euro

Rasti ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi i cili ishte arrestuar për keqpërdorim besimi dhe shmangie nga tatimi, nuk do të procedohet tutje pasi që i njëjti ka paguar rreth 2mijë e 650 euro.

Kjo pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për ta hedhur poshtë kallëzimin penal të bërë ndaj tij.

Sipas vendimit të 29 shtatorit të këtij viti për hedhje të kallëzimit penal, prokuroria kishte obliguar palët e dyshuara që të paguanin një shumë të caktuar parash në dobi të fondit për kompenzimin e viktimave.

KALLXO.com mëson se të dyshuarit ishin zotuar se do të paguanin 2 mijë e 650 euro në dobi të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, secili veç e veç, në bazë të aktvendimit për pezullimin e përkohshëm të procedurës penale i marrë me datë 27 shtator të këtij viti.

Fotoja nga vendimi për pezullimin e përkohshëm të procedurës penale i datës 27.09.2023
Pjesë nga vendimi për pezullimin e përkohshëm të procedurës penale i datës 27.09.2023

Pos Agim Ademit, të dyshuar të tjerë në këtë rast ishin edhe katër persona të tjerë: M.Ç., A.D., I.A., dhe A.N. për veprën penale në bashkëkryerje keqpërdorim i besimit.

Sipas një përllogaritje matematikore vlera që pesë të dyshuarit kanë paguar për fondin për kompensimin e viktimave del të jetë, 13 mijë e 250 euro.

Vlera e lartcekur del të jetë paguar nga të dyshuarit, ashtu siç specifikohet në vendimin për hedhjen e kallëzimit penal të datës 29 shtator të këtij viti.

“Konform nenit 227 paragari 1 nënparagrafi 1.2 të KPRK-së, të dyshuarit i kanë përmbushur detyrimet sipas aktvendimit të datës 27.09.2023, duke kryer pagesat në dobi të fondeve për kompensimin e dëmit të viktimave me vepra penale, në programin për kompensimin e viktimave të krimit”- thuhej në fund të vendimit e datës 29 shtator të prokurorisë për hudhjen e kallëzimit penal për Agim Ademin dhe të tjerët.

Për çka dyshohej Agim Ademi dhe sa parashihej dënimi për ato vepra?

Agim Ademi sipas vendimit për hedhjen e kallëzimit penal, dyshohej për keqpërdorim të besimit vepër e cila sipas kodit penal të Kosovës dënohet me gjobë dhe me burgim prej 3 muaj deri në tri vite.

Kurse shmangia tatimore për të cilën po ashtu dyshohej Agim Ademi, sipas kodit penal dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vite.

Çfarë parasheh kodi i procedurës penale për hedhje të kallëzimit penal?

Sipas dispozitave ligjore të kodit të procedurës penale, prokurori i shtetit mund pezulloj ndjekjen penale për personat e dyshuar, nëse të njëjtit dyshohen se kanë kryer vepra penale të cilat dënohen me gjobë ose me burgim deri në 4 vite apo nëse parashihet dënimi me gjobë dhe dënim me burgim deri në katër vite.

Ky vendim mund të merret nga prokurorial nëse ka pëlqimin e palës së dëmtuar. Vendimi për pezullim mund të merret edhe atëherë kur i dyshuari përmbushë detyrimet të cilat pakësojnë ose mënjanojnë pasojat e dëmshme të veprës penale. Këto detyrime janë a) eliminimi i pasojave të dëmit ose kompensimi, b) pagesa e një kontributi ndaj një institucioni publik ose bamirës apo programin për kompensimin e viktimave të krimit dhe c) nëse kryhen punë në interes të përgjithshëm.

Sipas vendimit të prokurorisë, Ademi dhe katër të tjerët kanë përmbushur kriterin e dytë, që të bëhet pagesa në fondin për kompensimin e viktimave.

”Prokurori i shtetit, me pëlqimin e të dëmtuarit mund të pezullojë ndjekjen për vepër penale të dënueshme me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet apo me gjobë dhe me burgim deri në katër (4) vjet, duke pasur parasysh natyrën, rrethanat dhe karakterin e veprës penale dhe të kryerësit, nëse i pandehuri zotohet se do të sillet siç është udhëzuar nga prokurori i shtetit dhe se do t’i përmbushë detyrimet e caktuara që pakësojnë ose mënjanojnë pasojat e dëmshme të veprës penale, duke përfshirë”- thuhet në nenin 227 të kodit të procedurës penale.

Lidhur me marrjen e pëlqimit nga pala e dëmtuar, KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin që ka nxjerrë këtë vendim, por i njëjti ka ndalur telefonin në momentin kur është pyetur lidhur me vendimin.

Të njëjtit i është dërguar edhe një mesazh telefonik, për të cilin nuk kemi marrë përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Vendimi për hedhjen e kallëzimit penal i datës 29.09.2023

Ky vendim është marrë nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ali Ajdini.

Sipas vendimit të prokurorisë të dyshuarit i kanë kryer pagesat në dobi të fondeve për kompensimin e dëmit të viktimave me veprat penale, duke kryer kështu detyrimet sipas aktvendimit të datës 27.09.2023.

“Konform nenit 227 paragari 1 nënparagrafi 1.2 të KPRK-së, të dyshuarit i kanë përmbushur detyrimet sipas aktvendimit të datës 27.09.2023, duke kryer pagesat në dobi të fondeve për kompensimin e dëmit të viktimave me vepra penale, në programin për kompensimin e viktimave të krimit”- thuhet në fund të vendimit të prokurorisë për hedhjen e kallëzimit penal për Agim Ademin dhe të tjerët.

Të dyshuar për këtë rast, pos Agim Ademit kane qenë M.Ç., A.D., I.A., dhe A.N. për veprën penale në bashkëkryerje keqpërdorim i besimit.

Edhe për të lartcekurit me vendim të prokurorisë është hedhur poshtë kallëzimi penal.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi  më 22 mars të këtij viti ishte ndaluar për 48 orë pas intervistimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit që kishte bërë Prokuroria, Ademi ishte ndaluar për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

“I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Një ditë më vonë, më 23 mars të këtij viti, Ademit i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.