Ndeshja Rumani-Kosovë, Ademi: Do të kërkojmë respektim të rregullave të "fair-play" nga UEFA dhe CAS

Kosova humbi përballë Rumanisë mbrëmë në ndeshjen e vlefshme për garën më të madhe sportive në Europë, “Euro 2024”.

Për më tepër se gjysmë ore, loja mes dy kombëtarëve u ndërpre pasi tifozët “Ultras” të Rumanisë shfaqën një baner ku shkruhej “Kosova është Serbi”. Sipas UEFA-s, ndeshja u ndërpre për “sjellje diskriminuese”.

Një ditë pas ndeshjes, ka reaguar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Shefi i Federatës kosovare në futboll tha se do të kërkojnë drejtësi nga organet e Federatës Europiane të Futbollit.

“Ne mbetemi të vendosur për të përmirësuar lojën tonë dhe për të arritur suksese në nivel ndërkombëtar. Këto sfida na forcojnë dhe nuk do të na pengojnë të ecim përpara. Ne, do të kërkojmë drejtësi dhe respektim të rregullave të “fair-play-it” në futboll përpara organeve të UEFA-s dhe në CAS” – ka thënë Ademi në një reagim në Facebook.

“Diskriminimi dhe huliganizmi nuk kanë vend në futbollin modern dhe ne jemi të vendosur të mbrojmë integritetin e lojës” – tha tutje ai.

Për rastin, reagoi edhe FFK, duke thënë se tashmë janë kontaktuar organet e UEFA-s.

“Pas incidentit të këtillë, është kërkuar nga delegati i UEFA-s të evidentohen të gjitha shkeljet që kanë rezultuar me vërejtje ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe është kërkuar që të gjitha shkeljet të procesohen te organet përkatëse të UEFA-s” – thuhet në reagimin e FFK-së.

“Federata e Futbolli e Kosovës po ashtu iu ka drejtuar Komisionit Disiplinor të UEFA-s me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë” – thuhet tutje në reagim.

Kosova humbi përballë Rumanisë me rezultat 2:0, duke zbehur gjasat për Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani.