I akuzuari për kontrabandim kërkon të mbrohet nga avokati i birit të tij

 

Seanca e së mërkurës ndaj të akuzuarit Fatmir Krasniqi, i ngarkuar nga prokuroria për kontrabandim me migrantë si dhe mbajtja e paautorizuar e armëve ka dështuar të mbahet.

I pandehuri deklaroi se e kishte autorizuar avokatin Bekim Kafexholli që ta mbronte në këtë çështje penale, kurse një gjë e tillë ishte pengesë ligjore sepse i njëjti avokat përfaqësonte edhe të birin e tij, të akuzuar në çështjen e njëjtë penale, Florim Krasniqin.

Trupi gjykues i përbërë nga Kujtim Krasniqi kryetar dhe Valon Kurtaj e Lutfi Shala anëtarë, i shpjeguan të pandehurit se ky avokat nuk mund ta përfaqësonte në këtë çështje penale.

Ata udhëzuan të pandehurin në gjetjen e një avokati tjetër deri në seancën e ardhshme.

I pandehuri Fatmir Krasniqi deklaroi trupit gjykues se nuk kishte pasur njohuri deri ditën e djeshme për mbajtjen e sotme të seancës.

Kurse, avokati Kafexholli njoftoi trupin gjykues se për mbajtjen e seancës e kishte njoftuar para 4 ditësh familjen e të akuzuarit.

“Nëse nuk mundesh me autorizu ti një avokat, ta caktojmë një ex-officio, sepse e ke mbrojtjen e detyrueshme” – u shpreh kryesuesi i trupit gjykues Kujtim Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Prishtinës në vitin 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Krasniqit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale të kontrabandimit me migrantë si dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.

Procedura ndaj tij është veçuar në tetor të vitit të kaluar, meqë për të njëjtat vepra akuzoheshin edhe djemtë e tij Florim dhe Florent Krasniqi si dhe 9 persona të tjerë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fatmir Krasniqi, gjatë vitit 2020 dhe 2021 ka falsifikuar dokumente të ndryshme për shtetas të Republikës së Kosovës si dhe për shtetas të huaj, për të përfituar financiarisht me qëllim të kontrabandimit në vende të ndryshme të Evropës, si Itali, Irlandë, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Këtë e kishin bërë fillimisht duke gjetur shtetas që kanë dashur të migrojnë në vendet e ndryshme, ndërsa pasi ka siguruar lëndën e pare për prodhim të dokumenteve të falsifikuara të falsifikuara, ka bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e  dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit ose të identifikimit, dhe leje qëndrime të ndryshme.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fatmir Krasniqi posedonte edhe karikator dhe dy fishekë pa lejen nga organi kompetent dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë të pandehur do të mbahet më 8 gusht, ku i pandehuri u udhëzua të caktojë avokat me rastin e mbajtjes së seancës.

Kurse më 7 gusht pritet të mbahet seanca ndaj Florim dhe Florent Krasniqit dhe të tjerëve të ngarkuar me veprat penale të pjesëmarrjes ose organizmit të grupit kriminal, falsifikim të dokumenteve, raste të posaçme të falsifikimit, dhe kontrabandimit me migrantë.