Fadil Rexhepi gjatë deklarimit para Gjykatës, 13.06.2024.

I akuzuari jep versionin e tij për përleshjen pas të cilës mbeti i vrarë kushëriri i tij

Në Gjykatën e Prishtinës më 13.06.2024 është mbajtur seanca në rastin e të akuzuarve lidhur me vrasjen e Sh.R.

Në seancë, Gëzim, Bedri dhe Muharrem Rexhepi kanë vendosur të mbrohen në heshtje.

I vetmi që vendosi të deklarohej ishte Fadil Rexhepi.

Avokati i tij, Gani Zabeli, tha se klienti i tij i ka thënë të gjitha ashtu siç kanë ndodhur në ditën kritike dhe është i gatshëm të deklarohet.

Sipas Fadil Rexhepit, Sh.R. është vrarë nga Gëzim Rexhepi.

“E kam pa duke u goditë nga distanca, ka qenë 10-15 metra. Pozita e Gëzimit ka qenë në rrugë” – ka deklaruar Fadil Rexhepi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, ai tha se kishte shkuar në fshatin Sharban ku kishte ndodhur vrasja për të punuar te një person, përkatësisht për të ngjitur pllaka.

“Kur mrriva unë jam kanë rrugës duke shku, kam pasë me shku në oborr me marrë ni makinë të pllakave që i prenë, kur mbërriva te dyert i gjeta duke u përleshë Bedrinë dhe Shaipin, te dyert e shtëpisë teme” – tha Fadil Rexhepi.

Ai precizoi se kishte qenë rreth 150 metra larg me veturë nga vendi i përleshjes, nga ku kishte përfunduar i plagosur.

“Kur jam kanë tu u përleshë Gëzimi u kanë tu vepru te dyert e veta. Gëzimi u hy, Xhaviti u dalë me revole në dorë edhe u shku tu u afru ngat tyne edhe mu afru s’ka guxu se janë kanë tu u përleshë. Edhe Shaipi ia ka kap alltinë. Shumë shpejt u dalë Gëzimi unë e kam nalë kerrin edhe kam tentu me shku m’i nda. Gëzimi s’më ka lënë me u afru edhe m’ka gjujtë me ni armë automatike” – deklaroi i akuzuari Fadil Rexhepi.

“Sa plagë i more në trup?” – e pyeti avokati Gani Zabeli.

“Mjekët m’kanë thanë 2 plumba” – u përgjigj Fadil Rexhepi.

Ai tregoi se kishte qenë rreth 10-15 metra larg nga vendi i përleshjes ku u plagos.

“Kam mbetë i koqitë në rrugë. Shpejt ka ardhë Pajaziti me kamion ka tentu me m’goditë. Duke tentu me m’goditë mua e ka goditë veturën e Sh. Jam fshehë pas veturës së Sh. e ky e ka  godit veturën” – ka rrëfyer Fadil Rexhepi.

“N’qat moment u dalë Bedria me armë automatike u ardhë ma ka drejtu armën në ballë, u dalë prej kamionit Pajaziti edhe i tha, s’di a guxoj mu shprehë: “Q*** nanën edhe këtij!” – ka shtuar Rexhepi.

Sipas tij pas kësaj Bedri Rexhepi e ka goditur me grushte Sh. R. edhe për së vdekuri, duke i thënë: “Rrasu mal!”.

Në këtë seancë gjithashtu u bë administrimi i provave të Prokurorisë. Lidhur me provat materiale palët nuk patën vërejtje.

Rasti ndodhet në rigjykim.

Paraprakisht Gjykata e Prishtinës kishte nxjerrë aktgjykim për rastin por Gjykata e Apelit e kishte kthyer të njëjtin në rivendosje duke arsyetuar se gjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë në shkelje procedurale.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues: Gazmend Bahtiri – kryetar, dhe anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi ndërsa prokuror i rastit është Armend Hamiti.

Në seancën e datës 22.05.2024 kanë dhënë dëshminë e tyre dy dëshmitarë.

Palët do të japin fjalët përfundimtare më 30.07.2024.

Çka pretendon aktakuza e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 22.05.2018, tashmë viktima Sh.R. së bashku me vëllanë e tij, tani të pandehurin Muharrem Rexhepi dhe të akuzuarin Fadil Rexhepi, të armatosur shkojnë në shtëpinë e të pandehurve Gëzim, Bedri dhe Pajazit Rexhepi më 26.10.2017.

Sipas Prokurorisë, në këtë datë fillon një fjalosje për çështjen e prerjes së malit. Në ato momente i pandehuri Bedri Rexhepi e sulmon fillimisht tashmë të ndjerin me grushta dhe kondak të revoles.

Sipas organit të akuzës, Gëzim Rexhepi niset në drejtim të tyre, pasi që i njëjti në ato momente ishte në ahur duke u kujdesur për bagëtitë,  me pushkë automatike shtien në drejtim të tashmë të ndjerit Sh.R., dhe të pandehurve Muharrem dhe Fadil Rexhepi. Nga kjo gjuajtje një plumb e godet tani të ndjerin Sh.R., me ç’rast gjeti vdekjen, kurse Fadil Rexhepi ka mbetur i plagosur.

Me këto veprime i pandehuri Gëzim Rexhepi nga Prokuroria po akuzohet për vrasje dhe për veprën penale – vrasje në tentativë, si dhe – armëmbatje pa leje.

Në këtë përleshje, sipas Prokurorisë, vëllai i tanimë të ndjerit Sh.R., Muharrem Rexhepi, nga hakmarrja e paskrupullt me qëllim të privimit nga jeta me armë shtie në drejtim të të dëmtuarit Xhavit Rexhepit, duke e goditur në dorën e djathtë. Me këtë veprim Muharrem Rexhepi akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbatje pa leje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në përleshje e sipër Fadil Rexhepi e ka goditur me grushte të pandehurin Bedri Rexhepi, e më pastaj me qëllim që ta privojë nga jeta ka shtënë në drejtim të Xhavit Rexhepit duke e goditur me plumb pas shpine, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë Fadil Rexhepi ngarkohet nga Prokuroria për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Kurse i pandehuri tjetër Bedri Rexhepi akuzohet për vrasje në tentativë dhe për armëmbajte pa leje, pasi sipas Prokuorisë, në momentin kur ishte sulmuar nga Muharrem dhe Fadil Rexhepi, kishte arritur të ikte dhe të marrë një armë në ahurin që gjendej afër dhe ka shtënë në drejtim të Muharrem Rexhepit.

Tutje, Pajazit Rexhepi akuzohet për dëmtim të pasurisë, por kjo vepër penale ka arritur parashkrim absolut.