Arkiv - Enver Sekiraqa - Foto: KALLXO.com
Historia e gjykimit të Enver Sekiraqës
Gjykata e Prishtinës sot për herë të dytë e shpalli fajtor Enver Sekiraqën lidhur me akuzat për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Shashivar Hoti me anëtarët e trupit gjykues. Beqir Kalludra dhe Shadije Gërguri, Sekiraqës i shqiptoi dënim me burgim prej 30 vjetësh, ndryshe nga hera e parë kur Sekiraqa u gjykua nga trupi gjykues i EULEX-it, i cili i shqiptoi dënimin me burgim prej 37 vjetësh.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit në sallë nuk u pa Enver Sekiraqa, i cili si duket nuk kishte dashur që të ishte prezent gjatë shpalljes së vendimit të Gjykatës.
Gjykimi i parë
12 vite kanë kaluar që nga vrasja e Policit të Kosovës, Triumf Rizës.
Për vrasjen e Triumf Rizës, Gjykata e Prishtinës e ka gjetur fajtor Arben Berishën, të cilin e ka dënuar me 35 vjet burgim.
Por, sipas Prokurorisë, përgjegjës për vrasjen e Triumfit nuk kishte qenë vetëm Arben Berisha por edhe Enver Sekiraqa.
Kjo për faktin se Prokuroria pretendon se Enver Sekiraqa e kishe nxitur Arben Berishën për ta vrarë tashmë policin e ndjerë Triumf Rizën.
Por mbrojtja e Sekiraqës fuqishëm e kishte kundërshtuar këtë vendim duke e quajtur të padrejtë dhe duke pretenduar se nuk ka asnjë provë që mbështet pretendimet e Prokurorisë.
Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.
Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.
Pranë Gjykatës së Apelit, vetë Enver Sekiraqa i kishte paraqitur pretendimet e tij për pafajësi.
Ai para Gjykatës së shkallës së dytë e kishte përjashtuar çdo mundësi të kishte ideuar vrasjen e Triumf Rizës.
Mbi këto pretendime duke mos u pajtuar me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, mbrojtja e Sekiraqës u ankua në Gjykatën e Apelit, me ç ‘rast kjo Gjykatë pas trajtimit të ankesës, rastin e ktheu në rigjykim.
Rigjykimi
Pas kthimit të rastit në rigjykim, lënda ndaj Enver Sekiraqës u transferua te gjyqtarët vendorë, me ç’rast rastin e vrasjes së Triumf Rizës u vendos ta gjykonte trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shashivar Hoti si dhe dy anëtarët e tjerë, gjykatësit Beqir Kalludra e Shadije Gërguri.
Kur Gjykata e Apelit në nëntor të vitit 2018 e ktheu rastin në rigjykim, mori vendim që edhe ta lirojë Sekiraqën nga paraburgimi. Por, ai nuk qëndroi më shumë se 30 orë jashtë grilave, ngase Gjykata e ktheu shpejt në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.
Shkak i rikthimit të Sekiraqës në paraburgim ishte vizita që atij ia bënë dy persona pas lirimit.
Kujtojmë se në procesin gjyqësor ndaj Sekiraqës si gjatë gjykimit të parë ashtu edhe gjatë gjykimit të dytë në përpjekje të zbardhjes së kësaj çështjeje dëshmuan një varg personalitetesh VIP. Mu për këtë shkak disa herë seancat gjyqësore u mbyllën për mediat dhe publikun.
Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.
Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë. Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.
Gjatë gjykimit të Enver Sekiraqës në mesin e dëshmitarëve ishte dëgjuar edhe Mehdi Kozhani, polici i cili e kishte hetuar vrasjen e Triumf Rizës.
Polici Kozhani në dëshminë e tij para Gjykatës kishte deklaruar se Triumf Riza kishte pasur probleme me sipas tij “grupin kriminal” të Enver Sekiraqës.
“Triumf Riza ka pasur disa raste të paraqitura në Polici si viktimë. Këto raste ishin shkaktuar nga grupi kriminal i Enver Sekiraqës, këto janë të evidentuara me raportet policore”, kishte thënë polici.
Kozhani gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se pjesë e këtij “grupi kriminal” të Enver Sekiraqës ishte edhe Arben Berisha.
Mirëpo pasi që Gjykata në rigjykim nuk kishte arritur që të siguronte prezencën e këtyre dëshmitareve, deklaratat e tyre ishin lexuar nga gjykimi i parë.
Gjatë këtij gjykimi, trupi gjykues në krye me gjykatësin Shashivar Hoti për arsye të ndryshme vendosën që disa herë ta mbyllnin gjykimin për publikun dhe mediat.
Dëshmitare sekrete në gjykimin e Sekiraqës, seanca mbyllet për publikun
Gjykimi u mbyll për publikun edhe gjatë dhënies së dëshmisë së Faton Shoshit, pronarit të portalit ‘Indeksonline’ sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
Drejtori i medias kërkon përjashtimin e gazetarëve nga gjykimi i Sekiraqës
Vëllai i Triumf Rizës, Visar Riza para Gjykatës kishte deklaruar se vëllai i tij, Triumfi, në vazhdimësi kishte pasur probleme me të akuzuarin Enver Sekiraqa.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Enver Sekiraqës, Visar Riza kishte deklaruar se ai pa mëdyshje beson se pas vrasjes së vëllait të tij qëndron i akuzuari Enver Sekiraqa.
Vlen të theksohet se Sekiraqa në rigjykim ka qëndruar prapa deklaratave të tij të dhëna më herët dhe nuk i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe trupit gjykues.
“Asnjë përgjigje, as prokurorit e as trupit gjykues nuk u përgjigjem”, kishte thënë Sekiraqa qysh në fillim të këtij rigjykimi.
Prokurori i rastit Haki Gecaj, në fjalën përfundimtare i kishte kërkuar Gjykatës që Enver Sekiraqën ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë një dënim shembullor i cili do të shërbente si mësim për të gjithë ata që do të vepronin si akuzuari Enver Sekiraqa.
“Prokuroria kërkon një dënim të tillë pasi është e bindur se Enveri ka nxitur Arben Berishën për ta tërhequr këmbëzën e cila vrau Triumfin duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve: Shefqet Riza, Gazmend Hoti, Blerim Shala, Faton Shoshi, D. M., Shpend Qerimi, leximin e deklaratave të dëshmitarit B., Fadil Gashi, Adelina Ismaili, Mona Ismaili, Ema Ismajli, Zanfina Ismaili, Kaltrina Berisha, Naser Sekiraqa”, kishte thënë prokurori Gecaj.
Por ndryshe nga prokurori, mbrojtësja e të akuzuarit Triumf Riza, avokatja Kosovare Kelmendi, i kishte kërkuar Gjykatës që të mbrojturin e tij ta lironte nga akuza që i vihej në barrë.
“Nuk u la gurë pa u lëvizur për të vërtetuar fajësinë e Sekiraqës, por Prokuroria nuk ia doli që ta përshkruaj se kur, si dhe me çka Enver Sekiraqa arriti me bindë Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, e lëre më ta vërtetojë një gjë të tillë”, tha avokatja Kosovare Kelmendi.
Lidhur me motivin e vrasjes së Rizës, avokatja Kosovare Kelmendi kishte thënë se nuk ka asnjë shkas që e lidh Sekiraqën me vrasjen.
Enver Sekiraqa sipas aktakuzës ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës më 30 gusht 2007.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.
Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje me plot 35 vite burg.
Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.