Gjykimi për vrasjen e Arlind Hanës, shtyhet seanca

Seanca ndaj Esat Bajramit, i akuzuar për vrasjen e Arlind Hanës, është shtyrë për datën 17 janar të vitit 2020.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, në gjykatën e Gjakovës, pasi që i akuzuari ishte dënuar me 18 vite burgim për vrasje e armëmbajtje pa leje.

Esat Bajrami akuzohet se ka vrarë Arlind Hanën, në nëntor të vitit 2017, në qebaptoren ‘Toni Burger’ në Gjakovë.

Shtyrjen e seancës e kishte kërkuar pala e akuzuar dhe ajo e dëmtuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Esat Bajrami, avokati Teki Bokshi, me shkrim kishte kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetimin se duhet të dakordohet me avokatin Besnik Berisha dhe me të mbrojturin e tij, se cili prej tyre do ta përfaqësojë të akuzuarin, Esat Bajrami.

Ndërsa avokatja Zahide Gjonaj, e cila përfaqëson palën e dëmtuar Nazmi Hanën, tha se i njëjti ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, për shkak se ka probleme shëndetësore.

Edhe prokurori Ali Uka, ishte i pajtimit me shtyrjen e seancës për këtë çështje penale.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mentor Bajraktari i ndihmuar nga anëtarët Besnik Bislimaj dhe Besarta Doli, planifikuan që në seancën e radhës do të dëgjohen dy dëshmitarë.

Esat Bajrami, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se më 1 nëntor të vitit 2017, në qebaptoren “Toni Burger” në Gjakovë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arlind Hana, 30 vjeç.

Në muajin maj të këtij viti, i njëjti ishte dënuar nga gjykata e Gjakovës me 18 vite burg, mirëpo këtë rast gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave ligjore.

Në aktvendimin e gjykatës së Apelit thuhet se gjykata e Gjakovës në rigjykimin e këtij rasti duhet të vërtetojë nëse vepra penale është kryer në gjendje të efektit të tronditjes së rëndë mendore, apo i akuzuari i ka kuptuar veprimet e tija në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshje që e kishin i ndjeri më të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

Esat Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm para gjykatësit Nikollë Komani.

Në një nga seancat e mbajtura në gjykatën e Gjakovës, kishte dëshmuar edhe motra e tij e mitur E. B.

Ndaj tij ishte kërkuar që të bëhej edhe një ekspertizë psikiatrike.