Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ushtari i UÇK-së jep dëshminë mbi pretendimin e një 'qendreje ndalimi në Bajgorë'

Dëshmitari i tetë, i identifikuar me kodin 04323 në gjykimin ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, deklaroi para trupit gjykues të Gjykatës Speciale se Qendra e ndalimit në Bajgorë ishte vend për disidentë ose kundërshtarë, njerëz që kanë bashkëpunuar me armikun.

Shqyrtimi gjyqësor i sotëm ka filluar me dëshminë e dëshmitarit të tetë, i identifikuar me kodin 04323.

Prokurorja D’Ascoli e pyeti dëshmitarin lidhur qendrën stërvitore në Shalë të Bajgorës, në Zonën Operative të Llapit, ku i njëjti edhe e kishte kryer stërvitjen.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin se: “Meqë përmendet Zonën Operative të Llapit, a i ka taku Bajgora ndonjë zone specifike të UÇK-së’’? dhe se ‘’Kur po stërviteshit, çfarë zone gjeografike po mbulohej nga Zona Operative e Llapit?”.

Dëshmitari theksoi se kjo zonë gjeografike kryesisht ka mbuluar zona të thella malore e jo territorin e komunës së Podujevës.

Dëshmitari theksoi se kjo qendër stërvitore me bazë ushtarake ishte e organizuar në një shkollë në Bajgorë, ku merrnin pjesë 200 persona në këtë stërvitje, ndër ta edhe dëshmitari.

Prokurorja, ndër tjerash, e pyeti dëshmitarin nëse kishin udhëzime sesi ta identifikonin armikun dhe dëshmitari theksoi se këtë mund ta bënin lehtësisht përmes uniformës, simboleve dhe mjeteve që i kanë pasur serbët në dispozicion.

Po ashtu, dëshmitari u pyet nëse gjatë stërvitjes kishin marrë informacione edhe lidhur me ligjet e luftës, i njëjti theksoi se: “Nuk e kemi arrit ligjëratën që është dashtë të përfshihet, pjesën ligjore nuk kanë arrit me jap për shkak të rrethanave që janë kriju”.

Dëshmitari thekson po ashtu se komandant Drini ju ishte prezantuar gjatë stërvitjes, në rreshtimin e mëngjesit dhe i njëjti kishte bërë një fjalim falënderues 4-5 minuta për guximin dhe kurajon por edhe informues në përgjithësi.

Sipas dëshmitarit, Shtabi i Zonës Operative të Llapit ka ekzistuar edhe para stërvitjes dhe ai ka qenë në dijeni për këtë. Sipas tij, trajnimi në këtë qendër stërvitore kishte zgjatur 5-7 ditë dhe ishte ndërprerë për shkak të betejës që kishte përfshirë Zonën e Shalës dhe fshatrat e tjera rreth Bajgorës.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin lidhur me qendrën e ndalimit në Bajgorë.

“Nuk di diçka në mënyrë specifike por vetëm e kemi ditë që ka ekzistu’’.

Tutje dëshmitari theksoi se: “Në verën e vitit 98’ e kom marrë vesh që ka ekzistu, kryesisht në bazë të gojëdhënave’’.

‘’Nuk ka qenë diçka e fshehur nga publiku, edhe objekti ka qenë i qasshëm prej rrugës kryesore’’.

Prokurorja D’Ascoli e pyeti dëshmitarin se për çfarë shërbente ky burg ose kjo qendër e ndalimit në Bajgorë.

Dëshmitari theksoi se: “Për disidentë edhe për njerëz që e kanë shfrytëzu situatën e që kanë kry vjedhje ose plaçkitje të ndryshme’’.

“Njihej si vend për disidentë ose kundërshtarë, me njerëz që kanë bashkëpunu me armikun’’.

Tutje dëshmitari theksoi se: “’Nuk kam qenë i vetëdijshëm me e kuptu në atë kohë këtë çështje, jemi rrit me një ideologji që në asnjë rrethanë apo mënyrë nuk duhet me bashkëpunu me armikun’’.

Prokurorja tutje e pyeti dëshmitarin se kë e konsideronin si ‘Kolaboracionist’ ose njerëz që bashkëpunonin me armikun?

Dëshmitari theksoi se këtu bënin pjesë njerëzit që kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme Serbe, sipas gojëdhënave.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se në këtë qendër të ndalimit kishte pasur civil.

Pas këtij sesioni pyetjesh, u kalua në seancë private për shkak të përgjigjeve që mund të jenë të natyrës identifikuese për këtë dëshmitar.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023. Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.