Foto: Kallxo.com

Gjykatësi toleron ish-ministrat e akuzuar për "faljen e hidrocentraleve"

Ndryshe prej herëve të tjera e nga praktika gjyqësore, në seancën e sotme ndaj të akuzuarve në rastin “Falja e Hidrocentraleve” të akuzuarit në mesin e të cilëve janë edhe disa ish-ministra të qeverisë “Thaçi 2”, deklarimin lidhur me fajësinë e bënë pa u ngritur në këmbë.

Ky veprim u bë me udhëzimin e gjyqtarit Valon Kurtaj, i cili u tha që për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, të njëjtit lidhur me fajësinë mund të deklarohen nga vendi, pa u ngritur në këmbë

Më herët, KALLXO.com raportoi se të gjithë të akuzuarit në këtë rast u deklaruan të pafajshëm në akuzat e Prokurorisë Speciale.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe ish-ministrat Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi e Nenad Rashiq.

Të akuzuarit tjerë janë Arben Gjuka, Fllanza Hoxha, Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Basha, Gelor Shala, Nasim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Krenar Bujupi dhe Lorik Fejzullahu.

Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit Besim Beqaj kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim,  Mimoza Kusari, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu anëtar të Komitetit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik””.

Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK, e me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese thuhet në aktakuzë.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezentuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit  2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” .

Tutje në aktakuzë thuhet se  e pandehura Fllanza Hoxha, në cilësinë e personit zyrtar- menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ( MZHE), A. Gj., në cilësinë e personit zyrtar – Drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), B.H., në cilësinë e personit zyrtar- koordinator për shthurje  të KEK-ut, si dhe i pandehuri K.B., në cilësinë e personit zyrtar – anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Fadil Citaku në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KEK-ut, Mujë Rugova Agim Nika, Flamur Keqa dhe Izet Ibrahimi, në cilësinë e personave zyrtarë- anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe Gani Jashari në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KKDFE-së, Burim Berisha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që t’i mundësojë çfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas prokurorisë në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndryshe prej herave te tjera e nga praktika gjyqësore, kësaj radhe deklarimin lidhur me fajësinë të akuzuarit e bënë pa u ngritur në këmbë. Ky veprim u bë me udhëzimin e gjyqtarit, i cili u tha që për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, të njëjtit lidhur me fajësinë mund të deklarohen nga vendi, pa u ngritur në këmbë.