Grupi i akuzuar për planifikim sulmesh terrorriste kundër KFOR-it hesht në gjykatë

Gjashtë të akuzuarit për terrorizëm, në seancën e sotme e shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje.

Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti, të cilët po akuzohen se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë, kur ju erdhi radha të japin mbrojtjen e tyre, të njëjtin zgjodhën të mbrohen në heshtje.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor kryetari i trupit gjykues Mustafë Tahiri, i njoftoi palët se Gjykata kishte pranuar një njoftim lidhur me verifikimin e kalimit kufitar për të akuzuarin Resim Kastrati, ku i njëjti në seancën e kaluar kishte deklaruar se kishte qenë duke biseduar me Albert Ademajn, ku i kishte thënë se gjendet në “Bajram Curr”, në një lagje në Prizren, ndërsa Prokuroria pretendon se i njëjti ka qenë në Bajram Curr në Shqipëri.

Por në lidhje me këtë prokurori Afrim Shefkiu, deklaroi se detyrë e prokurorit është që përveç provave fajësueses t`i vlerësoj edhe ato shfajësuese, dhe shtoi se në bazë të një raportit dhe pas kontaktit me policinë, është vërtetuar se i akuzuari Kastrati me datën 17 mars 2018 ka qenë në “Bajram Curr” në Prizren dhe jo në ‘Bajram curr” të Shqipërisë.

Vlen të ceket se në seancën e sotme ka qenë e paraparë të jepet edhe fjala përfundimtare e palëve, mirëpo prokurori Shefkiu deklaroi se nuk është i gatshëm për fjalën përfundimtare për arsye se nuk e ka të përgatitur me shkrim  dhe se i duhet kohë për ta elaboruar në detaje.

Më pas trupi gjykues, i kryesuar nga Mustafë Tahiri, dhe dy anëtarët Nushe Kukaj- Meka dhe Lutfi Shala, morën aktvendim duke caktuar seancën e radhës  për datën 19 gusht.

Prokuroria Speciale pretendon se Gramos Shabani ishte i angazhuar për të kryer sulme terroriste në shtetin e Belgjikës. Ndërsa bashkëshortja e tij Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Bashkë me dy bashkëshortët po akuzohen edhe Bujar Behrami, i njohur me nofkën ‘Ebu Musab El –Albani’, Resim Kastrati –  me nofkën ‘Pc Habibi’, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu.

Gjykimi për terrorizëm – 29.07.2019

Sipas Prokurorisë ky grup i përbëre prej gjashtë personave kishte paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në kishën ortodokse në Mitrovicën veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhet edhe synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzohen se që nga dhjetori  i vitit 2017 e deri më 29 qershor 2018 kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohet se ka tentuar të krijojë grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe kisha ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza thotë se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000.00 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Western Union”, thuhet në aktakuzë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se edhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.

Të gjitha raportimet në lidhje me ketë rast mund t’i gjeni në këtë link.