Falsifikoi diplomën e shkollës së mesme, dënohet me burgim

Gëzim Bytyqi, i akuzuar për falsifikimin e diplomës së shkollës së mesme, është shpallur fajtorë nga Gjykata deh është dënuar më një vit burgim.

Në seancën gjyqësore të drejtuar nga Gjykatësja Fatime Dërmaku, i akuzuari Bytyqi u deklaruar i pafajshëm, duke thënë se ai “ishte mashtruar”.

“Unë jam i pafajshëm sepse jam mashtruar nga Agimi, ai më ka dhënë diplomën për të cilën kam paguar 250 euro”, tha Bytyqi.

I akuzuari gjatë mbrojtjes së tij deklaroi se në  kohën e kryerjes së veprës penale ishte 30 vjeç, punon në një firmë me paleta, më parë ishte përgjegjës i 15 punëtorëve në ndërtimtari, ka të kryer vetëm klasën e tetë të shkollës fillore, ndërsa shkollën e kishte lënë në klasën e nëntë për shkak të kushteve ekonomike.

Asnjëherë nuk kishte shkuar në shkollën e mesme, mirëpo pasi i nevojitej diploma e shkollës së mesme për të shkuar në Slloveni sipas tij ai kontakton me të bashkakuzuarin Agim Gashi, i cili thotë se në Prizren është një shkollë profesionale e cila mundëson që për një kohë të shpejtë me marrë diplomën për kryerjen e shkollës së mesme, për të cilën duhet paguar shuma 250 euro.

Tutje i akuzuari deklaroi se Agimi tani i bashkakuzuari i kishte thënë se ‘unë t’i kryej të gjitha provimet, ti  s’ke nevojë me nga nëpër shkollë me hupë kohë”.

Në pyetjen e prokurorit se për sa kohë  e kishte marrë diplomën, i akuzuari deklaroi se “të premten kam biseduar me Agimin, të hënën e kam marrë diplomën, i bie për tri ditë”.

Prokurori Igrishta në fjalën përfundimtare deklaroi se i njëjti diplomën ka tentuar ta legalizojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme me qëllim që të pajiset me vizë sllovene dhe të udhëtojë jashtë Kosovës.

Kjo u vërtetua edhe nga mbrojtja e të akuzuarit, andaj kërkoi që gjykata të njëjtin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënimin e merituar.

Gjithashtu Gjykata në aktgjykimin e sotëm të akuzuarit i konfiskoi edhe diplomën e lëshuar në emër të të akuzuarit nga Shkolla e Mesme Teknike ‘Tafil Kasumi’ në Deçan.

Aktakuza për falsifikimin e diplomës

Prokuroria më datën 16.01.2019, kishte akuzuar Gëzim Bytyqin se me datën 26.09.2018, ka prezantuar dokumentin e falsifikuar me qëllim që i njëjti t’i shërbejë si provë në një çështje ligjore, në atë mënyrë që ka shkuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe e ka dorëzuar diplomën kinse origjinale të lëshuar nga SH.M.L “Tafil Kosumi” në Deçan, me qëllim të legalizimit të së njëjtës me ç’rast ka kryer veprën penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme.

Prokuroria kishte akuzuar  edhe Agim Gashin dhe Luan Shalën për falsifikim të dokumenteve, të cilët në shqyrtimin fillestar kishin pranuar fajësinë.