Prokurori Blerim Igrishta vendosi që hetimet për një rast të vjedhjes së pyllit t’i bëj pasi ngriti aktakuzën

Një procedurë e ndjekur nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta për të ngritur fillimisht një aktakuzë e javë më pas të kërkoj edhe hetime për një vepër penale e cila është e dënueshme deri në 3 vjet, është kundërshtuar dhe është cilësuar si shkelje e aspektit procedural nga avokati Gazmend Halilaj.

Vepra penale e vjedhjes së pyllit për të cilën prokurori Igrishta kishte ngritur aktakuzë me datë 15 shkurt të këtij viti ndaj dy vëllezërve S.Shehu e L.Shehu është kthyer për plotësim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kjo pas një ankese që ka bërë avokati i njërit prej të akuzuarve tashmë, Gazmend Halilaj.

Igrishta, pesë javë pasi kishte ngritur aktakuzën të cilën e kishte bazuar në një deklaratë të një zyrtari të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, më saktësisht me datë 21 mars 2023 kishte marrë vendim për fillim të hetimeve ndaj dy të akuzuarve.

Aktakuzën e prokurorit Igrishta, avokati Gazmend Halilaj e quan të pabazë e madje edhe duke mos i përfillë procedurat e parapara.

Gjithashtu sipas avokatit i cili ka dorëzuar edhe një ankesë për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës, i njëjti pretendon se ka pasur shkelje të Kodit të Procedurës Penale.

Në ankesë, avokati Halilaj ka vendosur dyshimet e prokurorit Igrishta për të ngritur aktakuzën deri sa ka përmendur edhe faktin se në Kodin e Procedurës Penale përmendet saktësisht aspekti procedural se cilat veprime ndërmerren para se të ngritët aktakuza.

“Në rastin konkret si mund të ngritët aktakuza e pastaj të fillojnë hetimet? Nëse i referohemi nenit 1, qëllimi i kodit është përcaktimi i rregullave të procedurës penale të cilat janë të detyrueshme për punën e gjykatave,, prokurorisë së shtetit dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurën penale të paraparë me këtë Kod” – shkruan në ankesën e avokatit Halilajt drejtuar gjykatës.

Sipas avokatit Halilaj, “në rastin konkret jo vetëm që janë shkelur dispozitat por edhe parimet tjera bazë të drejtësisë, gjegjësisht neni 31 i Kushtetutës së Kosovës e cila flet për të drejtën në gjykim dhe paanshmëri.

Avokati Halilaj në një deklarim për KALLXO.com thotë se kjo praktikë nuk ndiqet asnjëherë sidomos në rastet e lehta kur veprat penale konsiderohen të lehta, siç është ajo e klientit të tij.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e prokurorit Igrishta lidhur me veprimet e tij për këtë aktakuzë.

Në një përgjigje drejtuar KALLXO.com nga Prokuroria e Prishtinës, ka thënë se meqenëse në kualifikimin juridik të veprës penale është lëshuar gabim teknik gjatë përpilimit të aktit akuzues, për veprën penale vjedhje e pyllit, i njëjti gabim është vërejtur nga ana e Gjykatës pas shqyrtimit paraprak të aktakuzës, e kanë kthyer në plotësim aktakuzën, e cila brenda afatit ligjor është plotësuar nga prokurori i rastit.

“Ndërsa, lidhur me çështjen se aktvendimi për fillim të hetimit kundër dy të pandehurve është nxjerrë më 21.03.2023, kjo për shkak të gabimit teknik në kualifikimin juridik të veprës penale, pasi me nenin 358 të KPRK-së, dënueshmëria e veprës është deri në tre (3) vjet, ndërkaq me veprën penale të parashikuar nga neni 349, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dënueshmëria është më shumë se tre (3) vjet, andaj Gjykata ka vendosur si në situatën e lartcekur”- është arsyetuar Prokuroria e Prishtinës.

Për këtë rast më 28 prill, Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet dhe e ka mbajtur shqyrtimi fillestar.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur edhe një seancë ndërsa prokuroria ka pretenduar se në aktakuzë është paraqitur gjendja faktike dhe pas dëgjimit të një dëshmitari që ka qenë në vendin e ngjarjes dhe administrimit të provave materiale, do të vërtetohet qartë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.

Halilaj edhe sot gjatë seancës e shqyrtimit kryesor ka kërkuar kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.

“Duke konsideruar se në rastin konkret prokuroria ka bërë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës, ani pse më vonë sipas urdhëresës së gjykatës është munduar të rregulloj diçka, mirëpo në aspektin ligjor nuk është bërë asgjë. E kemi një aktakuzë e ngritur me datë 15 shkurt ndërsa aktvendimin për hetime pesë javë më vonë, çka do të thotë se prokuroria ka vepruar në fazën e dytë e pastaj është kthyer në fazën e parë e që është shkelje thelbësore” – ka thënë avokati Halilaj gjatë seancës së sotme për shqyrtimin kryesor.

Në bazë të procesverbalit që ka siguruar KALLXO.com, gjyqtari Shefqet Baleci ka marrë vendim që aktakuza e prokurorit Igrishta të kthehet në plotësim në mënyrë që prokuroria në aktakuzë e ka cekur vendin pa e saktësuar emërtimin e fshatit.

Dy të akuzuarit vëllezër S. Shehu dhe L. Shehu sipas prokurorit Igrishta akuzohen se me datë 29 dhjetor të vitit 2022 rreth orës 8 me qëllim të vjedhjes së pyllit, në vendin e quajtur “Mbi Lug të Mollave” regjioni pyjor “Qyqavicë” kanë prerë dru me motor e të cilat i kanë ngarkuar në traktor dhe ishin të gatshëm të transportoheshin.

Me këto veprime sipas prokurorit, dy vëllezërit kanë shkaktuar dëm material Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.