Prokurori Blerim Igrishta - Foto: KALLXO.com

Zyrtarët e Ujësjellësit: Prokurori i veshur në tuta sportive na kërcënoi me paraburgim

Prokurori i shtetit, Blerim Igrishta, pasi kishte mbetur pa ujë në banesën e tij në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, më 31 gusht të vitit të kaluar, siç pretendojnë protagonistët e Ujësjellësit “Prishtina”, i veshur me tuta sportive apo siç njihen në popull “trenerka”, kishte shkuar në stacionin e Policisë “Jugu” në Prishtinë duke i kërcënuar me paraburgim zyrtarët e Ujësjellësit.

Mundësia që ky prokuror të ketë ndërhyrë në këtë rast i cili ndërlidhet me banesën e tij dhe mungesën e furnizimit me ujë, pretendohet edhe nga deklaratat e zyrtarëve të Ujësjellësit se i njëjti një ditë me parë para se të shkonte në stacionin e Policisë i kishte thirrur në telefon duke kërkuar që me urgjencë të rregullohet tubi dhe furnizimi me ujë.

Blerim Igrishta kishte telefonuar fillimisht në numrin e Ujësjellësit e me pas i kishte telefonuar edhe ushtrueses së detyrës të drejtoreshës teknike të Ujësjellësit, Lumnije Zekaj, duke i treguar se po flet me prokurorin Igrishta dhe duke kërkuar nga ajo që me urgjencë të rregullohet problemi.

Deklaratat e tilla po shihen si shantazh dhe kërcënim e po ashtu si ndërhyrje në punën e Ujësjellësit, sepse ata po pretendojnë se për rastin në fjalë kanë punuar sipas ligjit.

Telefonata e prokurorit kishte ardhur pasi kishte shpërthyer një gyp i ujit në rrugën ‘Uran Ajeti’ në Prishtinë. Gypi i shpërthyer doli të jetë në pronë private pasi kompania “Nderimi” kishte ndërruar pronën me Komunën e Prishtinës dhe gypi kishte mbetur në pronë private.

Kompania “Nderimi” dhe Ujësjellësi kishin mbajtur disa herë takime dhe kishin shkëmbyer një mori e-mail-e ku kompanisë i ishte bërë e qartë se Ujësjellësi nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë në prona private.

Kompania e Ujësjellësit nuk e kishte ditur fare që kishte ndërrim prone dhe gypi i tyre kishte mbetur nën shkallet e një banese shumëkateshe.

Lumnije Zekaj ishte shqetësuar nga telefonata e prokurorit dhe po ndihej e shantazhuar dhe kërcënuar nga prokurori i shtetit.

“Ka qenë një rrjedhje uji në rrugën “Uran Ajeti” afër objektit “Nderimi” dhe rrjedha po kalon brenda në objekt. Kemi diskutuar edhe me përfaqësuesin e “Nderimit” se ne nuk mundemi me hy në pronë private. Ai fillimisht ka pranuar me rregullu por më pas është tërhequr dhe problemi ka mbetur aty”, tha ajo për emisionin “Kallxo Përnime”.

Më pas ajo ka rrëfyer momentin kur prokurori Blerim Igrishta e ka thirrur në telefon.

“Kam marrë një telefonatë që është prezantuar një prokuror, thotë jam prokuroi i rastit Blerim Igrishta, më ka thirrur nga telefoni zyrtar edhe ai pa i përshkruar unë rastin dhe ka kërkuar brenda gjysmë ore me ndërpre ujin për shkak se uji rrjedh brenda në bodrum dhe ai nuk ka dashur më më dëgju, më pas e kemi pa që ai prokurori banon në atë objekt por ai këtë nuk ma ka thënë në telefon”, theksoi Zekaj.

Lumnije Zeka një ditë më pas ishte thirrur në stacionin policor “Jugu” në Prishtinë dhe ishin marrë në pyetje.

“Jam kontaktuar nga një hetuese, e cila me ka thënë që ka të bëjë me kompaninë ‘Nderimi’ Sh.P.K. dhe duhet me ardhë në ora 10:00 me dhanë një intervistë dhe kam shkuar bashkë me menaxherin e mirëmbajtjes së rrjetit dhe aty jam marrë në pyetje dhe nëse brenda dy ditësh nuk rregullohet problemi duhet me arrestuar”, potencon Zekaj.

Pas marrjes në pyetje nga hetuesja policore, zyrtarët e Ujësjellësit pretendojnë se në stacionin policor kishte shkuar prokurori Blerim Igrishta, duke pretenduar se është jashtë detyrës zyrtare vetëm ka ardhur të interesohet për rastin.

Me drejtoreshën Zekaj në stacionin policor me vonë ishte bashkuar edhe ushtruesi i detyrës i kryeshefit, Sokol Xhafa, dhe dy zyrtarë të Ujësjellësit.

“Në stacion kur kam shkuar unë e kam gjetur prokurorin Igrishta aty i veshur në tuta sportive, të mbështjellë e ka pasë telefonin e tij me disa dokumente ku ka thanë: Mirë që po e merrni përgjegjësinë sepse këtu e kam vendim me ju paraburgos”, theksoi Xhafa.

Xhafa e Zekaj dhe zyrtarët e tjerë të Ujësjellësit “Prishtina” nga hetuesja policore kishin kërkuar diçka me shkrim por një gjë e tillë nuk u ishte dhënë, duke u thënë se prokurori ka dhënë urdhër nëpërmjet telefonit.

“Kurrgjë nuk kishim me shkrim vetëm thirrjet telefonike”, theksoi Xhafa.

Hetuesja policore u kishte deklaruar se gjithçka po ndodhte me urdhrin e prokurorit Blerim Igrishta.

KALLXO.com kishte tentuar të marrë edhe një prononcim nga prokurori Igrishta por ai nuk ka pranuar të flasë. Shkurt ka thënë se janë Policia e Prokuroria ku këta zyrtarë mund të ankohen.

KALLXO.com kishte provuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës, ata kanë kthyer vetëm këtë përgjigje me shkrim.

“Më datën 31.08.2021, në stacionin Policor Jug në Prishtinë është iniciuar rasti “Shkaktim i Rrezikut të përgjithshëm”. Të gjitha veprimet janë ndërmarr në koordinim me Prokurorin e Shtetit”.

Pasi Policia ka dhënë shumë pak detaje se qysh është hapur rasti, KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje në Prokurorinë e Prishtinës se qysh i është ndarë rasti këtij prokurori dhe se çka ka ndodhur me këtë lëndë, por ata nuk kanë dhënë detaje përveç se kanë treguar se atë datë kanë hapur një rast.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë çështje mund t’ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 të KPRK-së”.

Për disa herë me radhë KALLXO.com ka provuar të takohet edhe me zyrtarë të kompanisë “Nderimi”. Ata fillimisht kanë pranuar të takohen por më vonë i kanë rënë pishman. Duke pretenduar se nuk kanë pasur ndikim te prokurori. Armend Aliu, pronari i kompanisë “Nderimi”, pretendon se ka 5 vite që prokurori Igrishta ka banesë në atë ndërtesë.

“Unë e kam rregulluar atë problem vet dhe nuk po du me u marr me atë punë hiç. Prokurori s’e ka ble sot, ai ka 5 vite që banesën e ka aty”, thotë Aliu.

Në këtë çështje ishte kyçur edhe Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit.

Drejtoresha e këtij Autoriteti Hajrije Morina pretendon se ditën kur kanë dalë në terren bashkë me zyrtarët e Ujësjellësit, njëri nga pronarët e kompanisë “Nderimi” në prezencën e tyre e ka thirrur në telefon prokurorin.

“Kur kemi dalë në terren aty kemi takuar njërin nga pronarët e kompanisë ndërtuese, i cili e ka kapur telefonin dhe e ka thirrur prokurorin sepse tha se banon këtu dhe ai pretendonte se po flet me të”, tha Morina.

Pretendimet se i gjithë rasti lidhet me faktin se prokurori ka nisur të merret me një rast sepse ka mbetur pa ujë në banesën e tij dhe se problemi me Ujësjellësin ka ardhur nga kompania që prokurori ka blerë banesë ne atë kompleks i mbështet edhe avokati Tomë Gashi, i cili në këtë rast përfaqëson Lumnije Zekajn. Ai pretendon se gjithçka lidhet me konfliktin e interesit.

“Sipas klientes sime e po ashtu edhe sipas Prokurorisë së Prishtinës, sepse unë i jam drejtuar me një shkresë të veçantë kryeprokurorit Kujtim Munishi i cili më ka njoftuar se lënda penale për prokurorin Blerim Igrishta për keqpërdorim të detyrës zyrtare është bartur në Prokurorinë e Pejës, sepse sipas klientes time prokurori jeton në objektin ku ka pasur shpërthim të një gypi”, theksoi Gashi.

Se qysh do duhej të veprohet në rastet e pretenduara të këtij emisioni kemi intervistuar Labinot Leposhticën, koordinator i Zyrës Ligjore dhe Monitorimit në BIRN dhe Internews Kosova.

“Sipas këtyre pretendimeve ky është një rast klasik çka në fakt nuk do duhet të bëjë një prokuror a gjyqtar, qoftë Ligji për shmangien e konfliktit të interesit, qoftë Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve e prokurorëve por në veçanti Kodi i procedurës penale i renditin një varg të obligimeve të gjyqtarëve e në rastin konkret edhe të prokurorëve lidhur me veprimet që ata guxojnë t’i ndërmarrin apo veprimet që ata duhet t’i shmangin gjatë procedurës penale. Në rastin konkret nëse një prokuror është përfshirë në një rast ku ai ka çfarëdo lloj interesi atëherë konsideroj që ky është veprim i ndaluar me të gjitha ato ligjet që i përmendëm me lart”, tha Leposhtica.

Parcela me kulturë rrugë kishte kaluar në pronë private pas ndërrimit që kompania kishte bërë me Komunën e Prishtinës duke i dhanë Komunës një hapësirë tjetër dhe kështu duke e devijuar komplet rrugën. Dhe Ujësjellësi nuk kishte mundur të ndërhyjë në pronë private për ta evituar dëmin.

Zyrtarët e Ujësjellësit në fund ishin lënë të lirë dhe asnjëherë nuk ishin arrestuar. Kompania “Nderimi” edhe pse për 3 muaj e gjysmë nuk kishte pranuar ta rregullojë problemin, në fund kishte ndërhyrë duke e rregulluar ashtu qysh iu kishte thënë që nga fillimi.

Tash i mbetet Prokurorisë t’i hetojë këto pretendime se a i ka kaluar kompetencat e tij prokurori dhe se a e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.