Shtyhet për nesër shpallja e aktgjykimit ndaj avokatit Tomë Gashi

Është shtyrë për nesër shpallja e aktgjykimit ndaj avokatit Tomë Gashi, i cili po akuzohet për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, ishte paraparë për ditën e sotme në ora 9:00.

Gjyqtari i rastit Eroll Gashi, ka thënë për KALLXO.com se Gjykata akoma s’ka vendosur për këtë rast, ashtu që shpallja do të bëhet nesër më 18 mars.

“Gjykata nuk ka vendosur akoma pasi që rasti është mediatik dhe shpallja do të bëhet nesër në ora 9:00. Kjo pasi që dhe me ligj lejohen, 3 ditë kohë për t’a bërë shpalljen”, tha gjyqtari Gashi.

Sipas aktakuzës, më 29 prill 2016, rreth orës 10:54, i akuzuari Tomë Gashi pasi që paraprakisht kishte përfunduar seancën dëgjimore në Gjykatën e Prishtinës, e ku me procesverbal ishte njoftuar nga gjyqtari i rastit se seanca ishte e mbyllur dhe duhet të ruhej si konfidenciale ajo çfarë aty flitet, i njëjti me të dalë nga seanca, pa autorizim kishte zbuluar të dhënat për identitetin e personit të mbrojtur në procedurë penale.

Sipas Prokurorisë ai këtë e kishte bërë duke iu drejtuar mjeteve [të informimit] me deklarata dhe duke përmendur publikisht emrin e dëshmitarit të mbrojtur.