Kërkohet rishikimi i hetimit për prokurorin Blerim Igrishta
Zyra e Prokurorit të Shtetit ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Pejë edhe një herë mundësinë e rishikimit të këtij rasti, sidomos tek ndriçimi i rrethanave dhe fakteve si dhe ndarjes se përgjegjësisë penale nga ajo disiplinore.
Kjo shkresë ka ardhur pasi lënda ndaj prokurorit Blerim Igrishta ishte mbyllur më parë nga Prokuroria e Pejës.
Prokurori Igrishta dyshohej se kishte ushtruar presion mbi zyrtarët e Ujësjellësit të Prishtinës.
Kallxo.com ka pranuar një shkresë e cila ndër të tjera thotë se kryeprokurori i Pejës kishte kërkuar nga Prokuroria e Shtetit mendim rreth këtij hetimi.
Kryeprokurori kishte kërkuar mendim nga Prokuroria e Shtetit dy ditë pas transmetimit të emisionit #KallxoPernime – “Ndërhyrja e Prokurorisë”.
Më datën 11 janar të këtij viti emisioni #KallxoPernime ka transmetuar hulumtimin e titulluar “Ndërhyrja e Prokurorisë”, i cili zbardhi rrethanat se çka kishte ndodhur datën e 31 gushtit të vitit të kaluar, kur prokurori Igrishta i kishte thirrur zyrtarët e ujësjellësit në përgjegjësi për shpërthimin e gypit në lagjen ‘Mati’ të Prishtinës.
Në shkresën që e ka siguruar Kallxo.com e cila mban datën 25 janar 2022, nga Prokurori i Shtetit Agron Qalaj për avokatin Tomë Gashi, i cili përfaqëson u.d. e drejtoreshës teknike të Ujësjellësit Lumnije Zekaj ndër të tjera thuhet: “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit më datën 24 janar 2022, ka pranuar nga ju njoftimin e datës 24.01.2022 përmes të cilit keni njoftuar lidhur me mbylljen e rastit kundër prokurorit Blerim Igrishta nga PTH në Pejë dhe kërkoni që hetimi kundër të njëjtit të rifillohet. Andaj e shoh të arsyeshme që të ju informoj se paraprakisht Kryeprokurori i PTH në Pejë ka kërkuar mendimin e ZKPSH për çështjen në fjalë përmes kërkesës së tij të datës 13.01.2022. Kryeprokurorit z.Agim Kurmehaj i ja kam kthyer përgjigjen dhe kam kërkuar për mundësinë e rishikimit të këtij rasti, sidomos tek ndriçimi i rrethanave dhe fakteve si dhe ndarjes së përgjegjësisë penale nga ajo disiplinore”, thuhet në shkresën e Prokurorisë së Shtetit.
Emisionin e plotë të #KallxoPernime mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm.