Lirohet nga akuza avokati Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi u lirua nga akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës sot në Gjykatën e Prishtinës.

 

 

Gjyqtari i rastit, Eroll Gashi arsyetoi vendimin e tij duke thënë se koha e kryerjes së veprës që figuron në aktakuzë nuk korrespondon me kohën në të cilën pretendohet se është kryer vepra.

“Koha e kryerjes së veprës penale, nuk korrespondon me atë çka thuhet në dispozitiv, pasi që në dispozitiv figuron ora 10:54 dhe menjëherë pas përfundimit të seancës dëgjimore, e që në procesverbal të fillimit të asaj seance dëgjimore është ora 15:00 dhe seanca përfundon në ora 15:30”, tha gjyqtari Gashi.

Sipas aktakuzës, më 29 prill 2016, rreth orës 10:54, i akuzuari Tomë Gashi pasi që paraprakisht kishte përfunduar seancën dëgjimore në Gjykatën e Prishtinës, e ku me procesverbal ishte njoftuar nga gjyqtari i rastit se seanca ishte e mbyllur dhe duhet të ruhej si konfidenciale ajo çfarë aty flitet, i njëjti me të dalë nga seanca, pa autorizim kishte zbuluar të dhënat për identitetin e personit të mbrojtur në procedurë penale.

Sipas Prokurorisë ai këtë e kishte bërë duke iu drejtuar mjeteve [të informimit] me deklarata dhe duke përmendur publikisht emrin e dëshmitarit të mbrojtur.

Shtyhet për nesër shpallja e aktgjykimit ndaj avokatit Tomë Gashi