Ilustrim

Gjykata Speciale: Seancat duhet të jenë sa më publike të jetë e mundur

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 11-të, kryetari i trupit gjykues dhe anëtarët e tjerë, ekipet e mbrojtjes së të akuzuarve, mbrojtësi i viktimave diskutuan lidhur me publicitetin e seancave të këtij procesi gjyqësor.

“Seancat duhet të jenë sa më publike dhe sa më shumë të jetë e mundur por është e vështirë, redaktimet janë të tepërta, ka fjali që zor mund t’i lexojmë, nuk kanë kurrfarë kuptimi’’ – tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith.

Smith gjithashtu theksoi se përpara dëshmive të dëshmitarëve të tjerë, të gjitha redaktimet duhet të merren përpara dhe të konsiderojnë sesa seanca të jenë publike e sa private.

“Të gjithë pajtohemi që të kemi sa më shumë seanca publike, dëshmitë të dëgjohen nga publiku por e mira është që këto të grupohen bashkë, jemi përpjekur por kemi harruar fare, të përpiqemi të kemi njëfarë strukture’’ – tha më tej ai.

ZPS lidhur më këtë çështje thekson se ekziston rreziku që gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të nxirren të dhëna identifikuese, pavarësisht qëllimit të mirë dhe kujdesit, dhe vë në pah efikasitetin dhe cilësinë e dëshmisë në sensin që mos të përsëriten pyetjet.

Sipas tyre, vonesa në përcjellje të seancave publike iu jep mundësinë e redaktimit si një masë për trajtimin e rreziqeve në këtë çështje, por që nuk i eliminon tërësisht.

Të gjitha ekipet e mbrojtjes së të akuzuarve theksuan se seancat publike janë e drejta themelore e të akuzuarve. Sipas tyre, përjashtimi duhet të jetë në rastet kur duhet të aplikohen masa mbrojtëse për dëshmitarët e që lidhur me këtë duhet të vlerësohet edhe njëherë pozicioni i dëshmitarëve. Dhe po ashtu të identifikohen vetëm ata persona të cilët kanë nevojë realisht për masa mbrojtëse.

Andaj, të njëjtit kërkuan nga trupi gjykues që të nxjerrë një vendim ligjor në lidhje me këtë çështje.

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, propozoi që të rishikohet statuti i dëshmitarëve të mbrojtur dhe të rishikohen masat mbrojtëse në mënyrë që të ketë sa më shumë seanca të hapura për publikun sepse thekson se kur “provat e dhëna këtu nuk janë të dëgjueshme për publikun atëherë zhbëhet qëllimi kryesor i realizimit të seancave publike’’.

Ndër tjerash, Kehoe tha se bazuar në përvojën kolektive në asnjë tribunal më parë nuk janë dhënë masa mbrojtëse për dëshmitarë sikurse në Dhomat e Specializuara të Hagës dhe se nuk po zbatohet standardi ligjor që të respektohet publiciteti i gjykimit.

Paneli gjyqësor thekson se shkrimi i një vendimi jo shumë publik, është çështje shqetësuese në këtë pikë të procesit gjyqësor sepse, sipas tyre, ata nuk mund të shkruajnë një aktgjykim publik dhe gjithëpërfshirës lidhur më këtë çështje.

“Si mundet trupi gjykues me shkru një aktgjykim publik kur ka shumë përmbajtje të redaktuar” – thanë ata.

ZPS thekson se e kupton natyrën publike të procesit gjyqësor por masat mbrojtëse janë urdhëruar në mënyrë idividuale, ndërsa aktgjykimit publik i shërben redaktimi dhe rishikimi pas listimit të provave të dhëna në seanca te mbyllura.

Mbrojtësi i viktimave Simon Lows theksoi se përqendrimi në një gjyq të hapur nuk mund të jetë më i rëndësishëm pavarësisht vështirësive teknike dhe procedurale por që duhet theksuar frikën që ekziston tek dëshmitarët. Lows tha se dëshmitarët vijnë nga ambiente apo ‘komunitete’ që njihen gjerësisht nga njerëzit që mund t’ua ndryshojnë jetën në shumë mënyra dhe këta faktorë nuk janë të parëndësishëm.

Lidhur më masat mbrojtëse ndaj dëshmitarëve u përmend edhe shkalla e masave mbrojtëse duke përfshirë tribunalin e Ish-Jugosllavisë me precedentët e rasteve nga Kosova.

“A është tribunali i ish-Jugosllavisë shembulli më i keq përsa i takon ndërhyrjes që iu bë dëshmitarëve. Pati apel, rigjykime dhe disa shqetësime lidhur me këtë proces’’ – gjyqtari Guenael Mettraux.

Avokati mbrojtës Ben Emmerson lidhur më këtë çështje iu përgjigj gjyqtarit Metrraux se tribunal i ish-Jugosllavisë nuk mund të jetë një shembull që kjo gjykatë të marrë këto masa mbrojtëse ndaj dëshmitarëve sepse nuk është ndërhyrë tek asnjë dëshmitar. Ai ritheksoi se ndërhyrja në dëshmitarë edhe mund të ndodh por mund të trajtohet.

Emmerson elaboroi që nëse tribunali i ish-Jugosllavisë mund të merret si shembull i situatave të ngjashme në këtë tribunal për Kosovën kanë qenë dy situata në çështjen Haradinaj, përkatësisht në gjykimin dhe rigjykimin e kësaj çështjeje.

Në rastin e gjykimit, thekson ai, Ramush Haradinaj u shfajësua ‘’me arsyetimin se kishte një atmosferë të përgjithshme jo të mirë e që kjo mund të ndikonte në frikësimin e dëshmitarit’’ që sipas Emmerson është e ndryshme nga situate momentale.

Në rastin e rigjykimit, “dy dëshmitarë nuk donin të jepnin dëshmi dhe kjo ishte arsyeja që Zyra e Prokurorit e apeloi shfajësimin e Haradinajt, por që urdhëroi rigjykimin për pjesën e aktakuzës për këta dëshmitarë’’.

Andaj sipas Emmerson, në tribunalin e ish-Jugosllavisë, lidhur me rastet për Kosovën nuk ka pasur asnjë pretendim frikësimi të dëshmitarëve ose provë në lidhje më këtë nga paneli gjyqësor.

“E kemi kaluar këtë proces gjyqësor veç në seanca private, e kemi tepruar shumë, kemi më shumë se 100 dëshmitarë me masa mbrojtëse’’ – ritheksoi ai.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Charles Smith deklaroi që paneli gjyqësor do të marrë një vendim për përmirësim të situatës momentale në këtë proces gjyqësor.

Gjithashtu, Smith theksoi se i takon trupit gjykues të shikojë edhe precedentët e kaluara gjyqësore sepse mund të përdoren për të shpejtuar procedurën gjyqësore

Seanca gjyqësore e radhës lidhur më këtë çështje do të vazhdojë më 10 korrik 2023.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.