Ekskluzive - Fjalët e para të Iran Badallit në Gjykatë

 

Iran Badalli, të cilit i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata, nën dyshimet se ka vendosur eksploziv në shtëpinë e tij ku mbeti i vrarë polici Sami Thaqi dhe u plagosën dy të tjerë ka mohuar se është në dijeni të ngjarjes që ndodhi në shtëpinë e tij.

Në seancën për caktimin e paraburgimit, pasi që atij iu larguan prangat, gjyqtari i procedurës paraprake e njoftoi për arsyen e arrestimit.

“Nuk është e vërtetë“, deklaroi i dyshuari Iran Badalli, duke mohuar se është në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur dy netë më parë.

Pasi i dyshuari Iran Badalli u lirua nga prangat dhe u ul para gjyqtarit, i njëjti  e pyeti se a ka vërejtje në trajtimin e tij në Gjykatë dhe prej momentit të arrestimit, Badalli tha se nuk kishte asnjë vërejtje.

“Shteti që ti e ke sulmuar po të trajton njerëzisht“, i tha gjyqtari, i cili vendosi që Badalli të qëndrojë nën masën e paraburgimit.

Kur prokurori i rastit Metush Biraj lexoi kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit dhe veprat për të cilat dyshohet Iran Badalli, i njëjti mohoi të jetë në dijeni për ngjarjen e ndodhur.

Iran Badalli tha se ditën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në shtëpi prej orës 15:30.

“Jam largu nga shtëpia e nuk jam kanë aty prej masdites, vetëm fëmijët janë kanë në shtëpi”, tha Badalli.

I njëjti deklaroi se fillimisht kishte telefonuar vajzën e tij.

“Jemi kanë t`u fol edhe është ndal telefoni, kur e kam thirr prapë më është lajmëru Policia edhe m’kan thanë me shku në shtëpi”, deklaroi Iran Badalli, duke shtuar se është drejtuar për tek shtëpia e tij.

“Qysh ka ndodh ngjarja nuk e di, se di pse ka ndodh ashtu“, deklaroi Badalli lidhur me ngjarjen e  ndodhur në katin e dytë të shtëpisë së tij ku mbeti i vrarë në detyrë polici Sami Thaqi.

I dyshuari Iran Badalli është i arrestuari për ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e tij ku mbet i vrarë në detyrë Polici Sami Thaqi.

I njëjti po dyshohet për kryerjen e tri veprave penale, ndero to edhe atë të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

 

Dosja e Prokurorisë: I dyshuari Iran Badalli kishte kurdisur eksploziv ‘TNT’

Sipas dosjes së Prokurorisë së Prizrenit, i dyshuari me anë të eksplozivit ka shkaktuar rrezik të madh që ka rezultuar me vdekjen e zyrtarit Policor Sami Thaqi.

I njëjti po dyshohet se në dhomën e katit të dytë në shtëpinë e tij ka kurdisur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ‘TNT’.

Badalli po dyshohet të ketë kryer tre vepra penale. Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me vdekjen e zyrtari Policor Sami Thaqi.

Si dhe dy vepra tjera penale atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me lëndime të rënda trupore për zyrtarët policorë, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj, ndërsa gjithashtu i njëjti po dyshohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim t paautorizuar të armëve.