E akuzuara që iu bashkua ISIS-it: Jam mashtru prej burrit

 

M. T., e akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës se i ishte bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, e ka pranuar veprën e cila i vihet në barrë.

“E pranoj fajësinë, se jam mashtru prej burrit dhe jam shku me një qëllim jo të keq, jam shku te burri, i kom ra pishmanit”, deklaroi M. T. në gjykatë,.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se pasi që i fejuari i të akuzuarës M. T., kishte qenë në Siri nga muaji shkurt 2014, duke luftuar për organizatën terroriste ISIS, e akuzuara i është bashkangjitur edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është i kundërligjshëm.

Akti akuzues shpjegon se më 20.6.2014 përmes Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës, ka shkuar për në Stamboll dhe me aeroplanin tjetër menjëherë ka vazhduar për në Gaziantep, e pastaj nga aty me një automjet kombi ka kaluar në Siri, ku i është bashkangjitur ISIS-it, dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë e kësaj organizate.

Më tutje aktakuza shpjegon se e akuzuara duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave, që shteti Islamik i kishte ofruar, e akuzuara iu kishte ofruar shërbime logjistike ushtarëve së pari Migjen Latifit, e pas vrasjes së tij, bashkëshortit të dytë Sirian të quajtur Ejmen, e pas vrasjes së të njëjtit edhe bashkëshortit të tretë Libianit të quajtur Salih, të cilët aktivisht kishin luftuar.

Me këtë prokuroria po e ngarkon të akuzuarën M. T. se ka kryer veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarës M. T. pritet të bëhet me 27.1.2020.