Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dosja: Si u zhyt pronari i restorantit në 1.5 milion euro fajde

Në kopjen e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit që e ka siguruar Kallxo.com, përshkruhen veprimet e të pandehurve, dy vëllezërve nga Prishtina Gëzim dhe Salih Sinani, të cilët po dyshohen për veprën penale të fajdesë.

Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim për të arrestuarit në rastin e njohur si ‘Brezovica’. Ata janë: Berat Lahu, Shukri Shabani, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani dhe Salih Sinani.

Gëzim Sinani dyshohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit në ndihmë”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, e gjithashtu edhe bashkë më vëllanë e tij Salihun dyshohen edhe për veprën penale të fajdeve.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2019 në Brezovicë Komuna Shtërpcë, ka ndihmuar personin tjetër në kryerjen e veprës penale Dhënia e ryshfetit, në atë mënyrë që ia ka dhënë 20,000 ( njëzet mijë euro) ndërmjetësuesit, tani dëshmitar bashkëpunues, me qëllim që t’ia japë të pandehurit Bratislav Nikoliq, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, për të siguruar një leje ndërtimore për një objekt hotelier në vikend zonën e Brezovicës, pronë e të pandehurit Xhevdet Shala, kurse i ka premtuar se do t`i japë edhe 50,000 (pesëdhjetë mijë euro) të tjera pasi të sigurohet leja ndërtimore”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë për veprën e parë dhe të dytë.

Ndërsa për veprën e tretë prokuroria e përshkruan se si Gëzim Sinani i arrestuari i djeshëm dyshohet se kishte arritur të hynte në hollin e gjykatës së Ferizajt në muajin maj të këtij viti dhe ta takonte të pandehuri Xhevdet Shala, duke u paraqitur si vëllai i tij.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 27.05.2022, në mes të orës 12:00 – 13:00, në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj ka ushtruar ndikim të padrejtë, ka nxitur të pandehurin që të japë deklaratë të rreme në procedurën penale dhe të fshijë të dhënat nga telefoni i tij mobil, derisa i pandehuri Xhevdet Shala ishte duke pritur në hollin e Gjykatës për t`u marrë në pyetje nga gjyqtari i procedurës paraprake në seancën për caktimin e masës së paraburgimit”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

“…i pandehuri Gëzim Sinani ka vënë në lajthim sigurimin fizik të Gjykatës dhe hetuesit e DKR –së duke u paraqitur si vëllai i të pandehurit Xhevdet Shala, ka hyrë brenda kinse për ta vizituar dhe me qëllim të t`i ofrojë ushqim në rast nevoje, mirëpo gjatë bisedës ka kërkuar që të mos deklarohet për faktet që mund ta inkriminojnë dhe i ka kërkuar fjalëkalimin e telefonit për t`ia fshirë të dhënat nga telefoni i tij mobil, në mënyrë që të bëjë të pashfrytëzueshëm si provë në procedurën penale”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Gëzim dhe Salih Sinani po ashtu dyshohen për veprën penale të “Fajdesë”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i muajit maj të vitit 2020, në Prishtinë, Podujevë, Ferizaj dhe vendet tjera të Kosovës, në bashkëkryerje, në vazhdim kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimeve për personin tjetër të dëmtuarin Xhevdet Shala, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, për shkak të pandemisë nga Covid-19, në atë mënyrë që i dëmtuari i cili ushtronte veprimtarinë afariste në gastronomi e cila ishte goditur më së shumti nga pandemia, fillimisht ka marrë një sasi betoni nga ndërmarrja “Ima sh.p.k” pronë e të pandehurit Gëzim Sinani, për një projekt ndërtimor, mirëpo edhe ky biznes ishte goditur nga pandemia, kështu që i pandehuri Gëzim i ofron për t`i shitur armaturë, e cila vlerë vetëm gjatë vitit 2020 arrin shumën 500,000 (pesëqind mijë) euro, me një kamatë prej 2,500 (dymijë e pesëqind) euro në muaj, për një kamion, mirëpo i dëmtuari në pamundësi që ta paguajë kamatën detyrohet të marrë para me fajde nga i pandehuri Salih Sinani, në shumë prej 20,000 (njëzet mijë) euro, për të cilën duhej të paguajë vetëm kamatë, 2,000, (dymijë ) euro në javë, e pastaj Gëzimi i ofron edhe 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro për t`i paguar borxhet për të cilën shumë i dëmtuari paguan 10,000 (dhjetë mijë) euro për dy javë”- theksohet në dosjen e Prokurorisë.

“… i dëmtuari për shkak të vështirësive me shitjen e armaturës detyrohet të marrë vetura të shtrenjta nga auto-sallonet e veturave në Prishtinë dhe Ferizaj, kurse veturat detyrohet t`i shesë me çmime shumë më të ulëta për t`i paguar borxhet dhe fajdetë, dhe kamatat shumë të larta, kështu që detyrimet vazhdimisht fillojnë të rriten dhe detyrohet të marrë edhe 150,000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) euro me fajde nga i pandehuri Gëzim Sinani, për të cilat është dashur të paguajë nga 15,000 (pesëmbëdhjetë mijë) euro në muaj vetëm për fajde”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë e cila vazhdon tutje duke treguar se veprimet e të pandehurit i kanë shkaktuar dëme të dëmtuarit në shumën rreth 1,500,000 (një milion e pesëqind mijë) euro

“Kështu që detyrohet të marrë kredi “Ish Bank” në shumë prej  400,000 (katërqind mijë) euro, me të cilat ka paguar borxhet dhe kamatat për të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, mirëpo prapë ka mbetur borxh rreth 650,000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) euro”- thuhet në dosjen e siguruar nga Kallxo.com

“I pandehuri Gëzim Sinani e ka detyruar që të vendosë hipotekën në një pasuri të paluajtshme në Fushë-Kosovë dhe ka marrë një kredi nga “NLB Bank” në shumë prej 700,000 (shtatëqind mijë) euro, kurse më datë 07.09.2022 të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani e kanë detyruar që të lidhë edhe një marrëveshje për ta ndërruar hipotekën nga prona në Fushë-Kosovë me një pronë në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kurse borxhin ta paguajë me rata fillimisht 200,000 (dyqind mijë) euro, pas tre muajve 100,000 (njëqind mijë) euro, pas tre muajve dhe 100,000 (njëqind mijë) euro, pas gjashtë muajve edhe 200,000 (dyqind mijë) euro, si dhe 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro pas gjashtë muajve, kurse në auto-sallonet e veturave ka mbetur borxh edhe rreth 500,000 (pesëqind mijë) euro, me të cilat veprime të pandehurit i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit në shumën rreth 1,500,000 (një milion e pesëqind mijë) euro”- përshkruhet në kërkesën e prokurorisë ku ata i ngarkon për veprën penale  të ‘Fajdeja në bashkëkryerje’.

Gjatë ditës së sotme gjykata e Ferizajt pritet ta caktojë seancën për caktimin apo jo të paraburgimit ndaj të dyshuarve që e ka kërkuar Prokuroria e Ferizajt.

Biznesmeni Labinot Vitia dyshohet se ia dha 40 mijë euro ryshfet ish-kryetarit Bratislav Nikoliq