Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Zyrtarët e komunës miratuan kanalizimin e pakryer në Malishevë

Shtatë persona janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Gjakovës rreth një projekti infrastrukturor në një fshat të komunës së Malishevës.

Të shtatë personat akuzohen se kanë konsumuar tri vepra penale gjatë realizimit të këtij projekti të kanalizimit në fshatin Balincë.

Të dyshuarit me inicialet R.M., J.K., J.Sh., B.K., I.V., V.M., dhe Q.K. akuzohen për veprat penale, veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike, falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim i pozitës.

Prokuroria po akuzon zyrtarët e Malishevës, në një projekt të rrjetit të kanalizimit në fshatin Balincë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri J.K., më 16 nëntor 2018, në Malishevë, në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe dy të pandehurit J.Sh., dhe B.K., në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e punimeve në projektin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Balincë, në raportin e pranimit teknik kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N.T. “Flamuri” nga Malisheva dhe se projekti në vlerë 9,870 euro i plotësonte kushtet për përdorim sado që firma, “nuk i kishte kryer punët sipas kritereve të kërkuara me kontratë”.

Në këtë rast, po akuzohet edhe drejtori i Urbanizmit në komunën e Malishevës, I.V. i cili së V.M., në cilësinë e menaxherit të projektit të kanalizimit dyshohet se kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren, janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës.

Ata kishin rekomanduar që firmës kontraktuese t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve, edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kërkuara në kontratë.

Njoftimi i Prokurorisë tregon edhe për pozitat dhe veprimet e të akuzuarve të tjerë.

“I pandehuri R.M., gjatë muajit tetor 2018 në Malishevë, në cilësinë e personit përgjegjës të Operatorit ekonomik N.T., “Flamuri”, në Malishevë, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit duke vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit, ku pasi ka fituar kontratën për kryerjen e punimeve të kanalizimit në fshatin Balincë, nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara sipas kontratës, kështu duke i shkaktuar Kontraktuesit, Komunës së Malishevës dëm material në vlerë prej 9.870,18 euro”, thuhet në komunikatë.

Sipas këtyre veprimeve R.M., si përgjegjës i operatorit ekonomik N.T. “Flamuri” në Malishevë dyshohet për veprën penale të veprimtarisë së pandërgjegjshme ekonomike.

Edhe zyrtari Q.K. dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në drejtorinë për Urbanizëm, në komunën e Malishevës.

“I pandehuri Q.K., më 12.02.2018, në cilësinë e personit zyrtar, në drejtorinë për Urbanizëm në komunën e Malishevës, ka keqpërdorur pozitën e tij me qëllim që të sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, për vete dhe të tjerët, bën përmasën edhe parallogaritë për shpuarje horizontale të rrugës për kalimin e gypit të kanalizimit në gjatësi 55 metra, në vlerë prej 3500 euro, edhe pse në vendin e njëjtë ka ekzistuar e njëjta shpuarje horizontale, duke i shkaktuar komunës së Malishevës dëm material rreth 3500 euro”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Gjakovës.