Dëshmia e tre ekspertëve të forenzikës në gjykimin ndaj Miqa Urosheviq, i akuzuar për vrasjen e Dejan Steljiq
Rigjykimi ndaj të akuzuarit Miqa Urosheviq, i akuzuar për vrasjen e Dejan Steljiq, ka vazhduar me dhënien e dëshmisë së tre ekpsertëve të forenzikës.
Gjatë kësaj seance të mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës, ekspertët kanë sqaruar për gjykatën dhe palët tjera çështjen e grimcave të barutit, profilin e ADN-së së të ndjerit dhe ekspertizës balistike të armës.
Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores së rastit Fetije Bajrami- Shala, eksperti Milazim Tahirukaj ka shpjeguar se nga raporti i ekspertizës dhe mendimi përfundimtar në mostrat e marra nga tre dëshmi nuk është evidentuar prania nitriteve dhe nitrateve të cilat janë të pranishme edhe të mbetjet e qitjes me armë zjarri me prejardhje nga baruti.
Por kjo sipas ekspertit Tahirukaj nuk e përjashtonte mundësinë që është shkrepur me armë zjarri.
Ekspertja Hidajete Muharremi është pyetur nga prokurorja e rastit nëse ishte fituar ADN-ja e të ndjerit Steljiq nga mostrat e dëshmive të marra, ekspertja ka deklaruar se nga dëshmitë e marra është krijuar një profil i vetëm i tani të ndjerit Dejan Steljiq.
Ndërsa eksperti i balistikës Lutfi Raci ka thënë se arma të cilës i është bërë ekspertiza balistike ka qenë një revoler i prodhuar në SHBA, ndërsa pesë gëzhojat e shkrepura ishin nga po e njëjta armë.
Pas dëgjimit të ekspertëve seanca ka përfunduar, ndërsa në seancën e radhës do të ftohen për t`u dëgjuar eksperti mjeko – ligjor Arsim Gërxhaliu dhe Bergita Curri, eksperte mjeko ligjore nga IML.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Mitrovicë Miqa Urosheviq, akuzohet se në dhjetor të vitit 2017, në veri të Mitrovicës me dashje ka privuar nga jeta Dejan Steljiqin.
Sipas dosjes së Prokurorisë, vrasja ishte kryer pas një fjalosje, ku i akuzuari Urosheviq i pajisur me armë në të cilën ka pasur pesë fishekë, ka shtënë pesë herë në të ndjerin Dejan Steliq, i cili nga predhat është goditur katër herë në trup duke pësuar plagë të rënda trupore nga të cilat ka mbetur i vdekur.
Me këtë Urosheviq akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes.
I akuzuari Urosheviq nga Prokuroria e Mitrovicës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Përveç për dy veprat e lartcekura Miqa Urosheviq akuzohet edhe për legalizim të përmbajtjes së rreme.
Sipas aktakuzës, këtë vepër ai e kishte kryer në gusht të viti 2014 derisa kishte vënë në lajthim personin zyrtar, Hamdi Ademi, zëvendëskoordinator në zyrën administrative në Lagjen e Boshnjakëve, për t`u pajisur me letërnjoftim ka prezantuar ekstraktin e lindjes në emër të Darko Peroviq, me shënime ekzakte si në ekstraktin e lindjes të lëshuar më 25 maj 2014 nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok.
Ai më pas ishte fotografuar dhe i është lëshuar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës në emër të Darko Peroviq.
Për këtë vepër penale i akuzuari Urosheviq kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 13 nëntor 2018 ndërsa ishte dënuar me tre vjet burg, por sipas vendimit të ndryshuar të Gjykatës së Apelit, atij i është zbritur dënimi në dy vjet.
Përveç kësaj, në aktakuzën e Prokurorisë së Mitrovicës, thuhet se i akuzuari Miqa Urosheviq, më parë ka qenë i gjykuar në Republikën e Serbisë, në Gjykatën e Lartë në Nish, për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” dhe “prodhim i palejuar, mbajtje, posedim i armëve dhe materieve eksplozive”, ku thuhet se është dënuar me 20 vite burgim.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë kishte bërë ankesë, mbrojtësi i të akuzuarit avokati Xhelal Hasani.
Hasani kishte bërë ankesë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit të dënimit.
Me propozimin që aktgjykimi i ankimuar të prishet dhe lënda të kthehet në rigjykim apo ndryshohet në atë mënyrë që të merret aktgjykim lirues për dy veprat e para penale dhe ndryshimin e aktgjykimit për veprën e tretë penale dhe të shqiptohet dënim me i butë.
Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit ishte e bazuar dhe rastin e ka kthyer në rigjykim për dy veprat e para penale vrasje dhe armëmbajtje ndërsa për veprën e tretë ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë duke ulur dënimin nga tre në dy vjet burg.