Ndërpritet seanca e rigjykimit ndaj të akuzuarit për vrasje në Mitrovicën Veriore

Në gjykatën e Mitrovicës sot ka filluar rigjykimi ndaj të akuzuarit Miqa Uroshqeviq. I lartcekuri akuzohet për kryerjen e veprës penale vrasje.

Sot në Gjykatën e Mitrovicës ka rifilluar gjykimi, mirëpo seanca është ndërprerë pasi në gjykatë nuk ka qenë prezent avokati Dejan Vasiq, i cili në këtë rast e përfaqëson palën e dëmtuar.

Gjykata ka kontaktuar me avokatin, por gjyqtari Bekim Veliqi ka njoftuar se avokati nuk gjendej në Mitrovicë dhe nuk mund të vinte sot në seancë, duke shprehur gatishmërinë që të jetë prezent në seancat e ardhme.

Andaj nën këto rrethana për shkak të ndjeshmërisë së rastit trupi gjykues ka marr aktvendim dhe seancën e sotme e ka ndërprerë duke e caktuar të radhës për 27 prill.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, pasi ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë kishte bërë ankesë, mbrojtësi i të akuzuarit avokati Xhelal Hasani.

Hasani kishte bërë ankesë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit të dënimit. Me propozimin që aktgjykimi i ankimuar të prishet dhe lënda të kthehet në rigjykim apo ndryshohet në atë mënyrë që të merret aktgjykim lirues për dy veprat e para penale dhe ndryshimin e aktgjykimit për veprën e tretë penale dhe të shqiptohet dënim me i butë.

Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit ishte e bazuar dhe rastin e ka kthyer në rigjykim për dy veprat e para penale vrasje dhe armëmbajtje ndërsa për veprën e tretë ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë duke ulur dënimin nga tre në dy vjet burg.

Urosheviq nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohej për tri vepra penale atë të vrasjes, amrëbajtjes pa leje dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Mitrovicë Miqa Urosheviq, akuzohet se në dhjetor të vitit 2017, në veri të Mitrovicës me dashje ka privuar nga jeta të dëmtuarin, tani të ndjerin Dejan Steljiq.

Vrasja ishte kryer pas një fjalosje, ku i akuzuari Urosheviq i pajisur me armë në të cilën ka pasur pesë fishekë, ka shtënë pesë herë në të ndjerin Dejan Steliq, i cili nga predhat është goditur katër herë në trup duke pësuar plagë të rënda trupore nga të cilat ka mbetur i vdekur, thuhet në akuzë.

Me këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale të vrasjes.

I akuzuari Urosheviq nga Prokuroria e Mitrovicës ngarkohej edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Përveç për dy veprat e lartcekura Miqa Urosheviq akuzohej edhe për legalizim i përmbajtjes së rreme.

Këtë vepër ai e kishte kryer në gusht të viti 2014 derisa kishte vënë në lajthim personin zyrtar, Hamdi Ademi, zëvendëskoordinator në zyrën administrative në Lagjen e Boshnjakëve, për t`u pajisur me letërnjoftim ka prezantuar ekstraktin e lindjes në emër të Darko Peroviq, me shënime ekzakte si në ekstraktin e lindjes të lëshuar më 25 maj 2014 nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok.

Ai më pas ishte fotografuar dhe i është lëshuar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës në emër të Darko Peroviq.

Për këtë vepër penale i akuzuari Urosheviq kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 13 nëntor 2018 ndërsa ishte dënuar me tre vjet burg por sipas vendimit të ndryshuar të gjykatës së Apelit, atij i është zbritur dënimit në dy vjet.

Përveç kësaj, në aktakuzën e Prokurorisë së Mitrovicës, thuhet se i akuzuari Miqa Urosheviq, më parë ka qenë i gjykuar në Republikën e Serbisë, në Gjykatën e Lartë në Nish, për  kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” dhe “prodhim i palejuar, mbajtje, posedim i armëve dhe materieve eksplozive”, ku thuhet se është dënuar me 20 vite burgim.