Arkiv - Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Deputeti megjithatë nuk paraqitet në burg, ankohet në Apel

Deputeti Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për shkak të veprës penale mashtrim me subvencione, është dashur të paraqitet ne Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës, por ankesa ndaj vendimit të Gjykatës ka çuar lëndën në Gjykatën e Apelit.

Këtë për KALLXO.com e bëri të ditur zyrtarja për informim e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi ka thënë se  Arifi ka shfrytëzuar të drejtën për ankesë dhe tani lënda gjendet në Gjykatën e Apelit.

Deputeti i dënuar Etem Arifi është dashur që më 9 mars të shkonte për vuajtje të dënimit prej 1 viti e 3 muaj mirëpo kishte paraqitur kërkesë me të cilën kisht shtyrë ekzekutimin e dënimit për 2 muaj.

Mosshkuarja për vuajtje të dënimit të dënuarit Arifi i mundësoi që të votonte për mosbesimin e Qeverisë Kurti.

Etem Arifi dhe i akuzuari tjetër Bajram Gashi, më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove. Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.