Deputeti që duhej të ishte në burg votoi për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, do të duhej që më 9 mars të paraqitej në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta vuajtur dënimin prej 1 vit e 3 muaj burgim pasi është dënuar për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Por, deputeti nuk ishte paraqitur në burg.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zyrtari për informim i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Isuf Iberdemaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe deputetin Arifi.

Ai ka konfirmuar se më 9 mars do të duhej të paraqitej për ta vuajtur dënimin.

“Për momentin jam i sëmurë dhe është shtyrë ekzekutimi dhe ta shohim deri sa të jem në një gjendje më të mirë sepse kështu më kanë rekomanduar mjekët dhe gjykata”, tha ai.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar deputetin të merrte pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës më 25 mars, kur u votua për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Vetë deputeti e pranon se ka votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Lajmin se Etem Arifi nuk është paraqitur në burg për vuajtje të dënimit e ka konfirmuar zyrtari për informim i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Isuf Iberdemaj.

Iberdemaj tha për KALLXO.com se i dënuari Etem Arifi nuk ishte paraqitur vullnetarisht për mbajtjen e dënimit dhe se për këtë Shërbimi Korrektues e ka njoftuar edhe Gjykatën e Prishtinës.

Ndërsa Bajram Gashi, i dënuari i dytë, ishte paraqitur vullnetarisht për vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Kujtojmë se Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.

Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.