Dënohet rojtari i pyllit nga Podujeva

Rojtari i pyllit Xhavit Avdiu nga Podujeva është shpallur fajtor sot nga gjykata në Prishtinë për një vepër penale për të cilën akuzohej nga Prokuroria.

Trupi gjykues i përbërë prej kryetares së trupit gjykues Nushe Kukaj-Mekaj dhe anëtareve Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi shpalli fajtor Xhavit Avdiun për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe i shqiptoi dënimin prej gjashtë muaj dënim me kusht.

Ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afatin prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa në emër të shpenzimeve të procedurës penale, Avdiu obligohet të paguajë shumën prej 100 euro dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 eurove. Gjithashtu obligohet që si taksë shtesë në emër të programit të kompensimit të viktimave të paguaj shumën prej 50 euro. Të gjitha këto në afat prej 15 ditëve.

Si sqarim shtesë, gjyqtarja Nushe Kukaj-Mekaj tha se dëshmia e dëshmitarëve policë është përputhur me SMS-ët që i akuzuari ka shkëmbyer një ditë para ditës kritike.

Rojës së pyllit, Xhavit Avdiut, prokuroria i ka vënë në barrë akuzën se nuk përmbushi detyrën zyrtare me qëllim që të përfitojë dobi për vetën ose personin tjetër.

Sipas Prokurorisë në maj të vitit 2018 pjesëtaret e policisë kishin hasur në dy kamionë të cilët ishin duke transportuar dru në mënyrë ilegale, me vozitësit Ramadan dhe Nebih Bislimi.

Aktakuza thotë se Xhavit Avdiu ishte duke i përcjellë me veturën e tij kamionët ndërsa Policia ka ndalur kamionin që po e drejtonte Nebih Bislimi dhe kërkuar dokumentet e tij.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Xhavit Ademi në atë moment ka dalë nga vetura dhe i është afruar zyrtarëve policorë duke u thënë që t’i lirojnë vozitësit e kamionëve pavarësisht se ata nuk posedonin dokumente për transportimin e druve.

“Lëshoj se janë me mua”, kishte thënë Avdiu.

Në datën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e vendimit për Avdiun, gjykata ka vendosur që ta rihapë këtë shqyrtim gjyqësor për shkak të qartësimit të CD-së e cila ishte propozuar nga ana e Prokurorisë si provë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast.

Gjykimi i rojës së pyllit që akuzohet se ‘ruante’ kamionët me dru të prerë