Foto: Kallxo.com

Gjykimi i rojës së pyllit që akuzohet se ‘ruante’ kamionët me dru të prerë

Në Gjykatën e Prishtinës po gjykohet një roje pylli të cilin prokuroria po e akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rojës së pyllit, Xhavit Avdiut, prokuroria po i vë në barrë se nuk përmbushi detyrën zyrtare me qëllim që të përfitojë dobi për vetën ose personin tjetër.

Sipas Prokurorisë në maj të vitit 2018 pjesëtaret e policisë kishin hasur në dy kamionë të cilët ishin duke transportuar dru në mënyrë ilegale, me vozitësit Ramadan dhe Nebih Bislimi.

Aktakuza thotë se Xhavit Avdiu ishte duke i përcjellë me veturën e tij kamionët ndërsa Policia ka ndalur kamionin që po e drejtonte Nebih Bislimi dhe kërkuar dokumentet e tij.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Xhavit Ademi në atë moment ka dalë nga vetura dhe i është afruar zyrtarëve policorë duke u thënë që t’i lirojnë vozitësit e kamionëve pavarësisht se ata nuk posedonin dokumente për transportimin e druve.

“Lëshoj se janë me mua”, kishte thënë Avdiu.

Në datën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e vendimit për Avdiun, gjykata ka vendosur që ta rihapë këtë shqyrtim gjyqësor për shkak të qartësimit të CD-së e cila ishte propozuar nga ana e Prokurorisë si provë.

“Seanca e shqyrtimit gjyqësor është rihapur dhe ka filluar rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues” sipas kryetarja së trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj.

Prokuroria e shtetit, në seancat e kaluara kishte propozuar që si provë të shikohet një video të cilën Gjykata nuk kishte pranuar për shkak se përmbante të dhëna që kishin të bënin me privatësinë e të akuzuarit përfshirë këtu edhe foto familjare.

Gjatë seancës Prokuroria kërkoi nga gjykata që të akuzuarin të shpall fajtor dhe të dënoi sipas ligjit. Ndërsa mbrojtësi i te akuzuarit, avokati Arber Osmani kërkoi që klienti i tij të lirohej nga akuzat.

Seanca e ardhshme ku pritet që gjykata të shpallë vendimin lidhur me te akuzuarin Xhavit Avdiun është caktuar të mbahet më 26 gusht.