Avokati i Nasim Haradinaj: Kjo Gjykatë nuk ka juridiksion për shkak se klienti im nuk akuzohet për krime lufte

Nënkryetari i OVL-UCK-së Nasim Haradinaj, sot u ul në bankën e të dyshuarit në Gjykatën e Specializuar në Hagë.

Avokati i specializuar i Nasim Haradinaj, kontestoi juridiksionin e Gjykatës së Specializuar lidhur me veprat penale që dyshohet se i ka kryer Nasim Haradinaj.

Avaokati deklaroi se “ky është një tribunal për krime luftë, ndaj klientit tim nuk ka akuza për krime lufte, andaj Gjykata Speciale nuk ka juridiksion për të zgjidhur këtë çështje”.

Haradinaj u përball me Prokurorinë e Specializuar  e cila e ngarkon me veprat penale frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të  fshehtësisë së procedurës penale.

Ndaj Haradinajt më 24 shtator 2020, ishte lëshuar fletarrest nga gjykatësi Nikolas Guilo.

Haradinaj u arrestuar më 25 shtator 2020, për tu dërguar në objektin e paraburgimit për tu paraqitur më pas në Gjykatën e Specializuar.

Sipas Prokurorisë së Specializuar, Nasim Haradinaj më 7,16 dhe 22 shtator 2020, ka dhënë konferencë për media ku ai ka shpërndarë informacion dhe dokumente konfidenciale jo publike në media lidhur me punën e zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Tutje thuhet se në këto tri konferenca, Haradinaj kishte dhënë emrat dhe të dhënat e dëshmitarëve të mundshëm, duke i frikësuar ata për të mos dhënë dëshmi.

Sipas Prokurorisë së Specializuar,  veprën peanle të hakmarrjes Nasim Haradinaj e ka kryer me mbajtjen e këtyre tri konferencave për media.