Dëshmitari Frederick Abrahamas, zyrtar nga Human Rights Watch

Avokati i Kadri Veselit sfidon dëshmitarin: Pra, ju ricikluat propagandën serbe?

Në shqyrtimin gjyqësor të së mërkurës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Frederick Abrahams, zyrtar nga organizata ndërkombëtare ‘Human Rights Watch’ ka vazhduar dëshminë e tij duke iu përgjigjur ekipeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson fillimisht lexoi një pjesë të një raporti të shkruar nga dëshmitari Abrahams.

Ky raport përshkruante se komandanti i rajonit të Dukagjinit duhet ta ketë ditur, për masakrën më të madhe që ka kryer UÇK-ja në 1998, një ekzekutim afër liqenit të Radoniqit ku ishin vrarë 30-40 persona.

“Çfarë prova kishe ti, që ka ndodhur vrasja nga UÇK-ja, në shtator të vitit 1998?” – e pyeti Emmerson dëshmitarin.

Dëshmitari Abrahams, sqaroi se do përpilonte ndryshe fjalitë në raportin ku është folur për rastin e trupave të pajetë në Liqenin e Radoniqit.

“Është e vërtetë, duhej ta kisha shkruar ‘vrasjet e pretenduara, në vend të këtij formulimi” – tha dëshmitari Abrahams.

Këtë dëshmitari e deklaroi duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit, avokatit Ben Emmerson.

Dëshmitari sërish deklaroi që ‘‘duhej të ishte shkruar ndryshe’’ dhe se pretendimet i kishin marrë nga pala serbe.

‘’Pra ju vetëm ricikluat propagandën serbe, apo jo?’’ – iu drejtua Emmerson, dëshmitarit.

Kur avokati Emmerson sqaroi se viktimat kishin vdekur në vende dhe kohë të ndryshme por se trupat e tyre ishin hedhur në të njëjtin vend, dëshmitari vazhdoi të thoshte se ‘‘duhej shkruar ndryshe’’.

‘‘Po këta trupa janë zbuluar dhe pretendohej se UÇK-ja i ka kryer por e pranoj se duhet të ishte shkruar ndryshe’’, shtoi tutje dëshmitari Abrahams.

Edhe në shqyrtimin gjyqësor të sotëm, dëshmitari Abrahams po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Veselit, avokatit Ben Emmerson

Tutje, dëshmitari Abrahams pranoi se nuk kanë bërë hetim në hollësi për këtë çështje, se nuk kishin arritur të shkonin në vendin e krimit pavarësisht që kishin tentuar dhe se nuk iu ishte lejuar qasja në morgun e improvizuar.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.