Apeli kthen në rigjykim 'Syrin e Popullit'

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si ‘Syri i Popullit’.

Në këtë rast penal më 22 janar 2020, gjykata e Prishtinës u blindua nga masat e sigurisë sepse trupi gjykuës në krye me Naime Jashanicën shqiptoi më shumë se 30 vjet heqje lirie ndaj të akuzuarve.

Por Apeli gjeti shkelje esenciale te dispozitave procedurale në këtë çështje penale.

Po ashtu sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar në mënyrë të plotë gjendjen faktike e kjo ka bërë që aktgjykimin e shkallës së parë ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim.

Në këtë proces penal Avni Llumnica ishte dënuar më 12 vjet burgim për shkak të dhënjes së ndihmës për plagsojen e Azem Vllasit  dhe sulmit seksual në qendrën e paraburgimit ndaj shokut te dhomës.

I akuzuari Sadri Ramabaja u dënua me 5 vjet burgim, Ragip Sallova me 4 vjet, Halim Halimi e Bajrush Konjusha u dënuan me nga 3 vjet burgim ndërsa Behxhet Luzha e Rexhep Topllani u denuan me nga 2 vjet burgim.

Ndërsa Murat Jashari iu shqiptua masë e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 viteve.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.