Vokshi: Klienti im nuk ka qenë drejtor i prokurimit për kohën për të cilën po akuzohet

Urim Vokshi, avokat i Besim Tahirit, i dënuar në rastin e ’53 milionëshit’, ka thënë në emision #KallxoPernime, se klienti i tij akuzohet për kohën kur nuk ka qenë fare drejtor i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ai ka thënë se aktakuza dhe aktgjykimi i gjykatës nuk i dënon asnjë prej të dënuarve në rastin e ’53 milionëshit’ për Bektel & Enka për dhënien e mjeteve. Por, sipas tij i dënon për periudhën tjetër, për 2017 – jo për sa para janë dhënë.

“Aktakuza thotë pse e keni lidhë marrëveshjen për zgjatje të afatit e cila nuk e ka paraparë asnjë kosto të vetme nuk flet për numra. Pra aktakuza nuk ka të bëjë me vitin 2018 kur janë dhënë 53 milionët”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se marrëveshja e 2017-tës për zgjatjen e afatit pa e përcaktuar koston nuk ka pasur ndikim në rritjen e shumës dhe nuk ka qenë e dëmshme.

“Pra, çështja kryesore është se edhe pas kësaj marrëveshje, të vitit 2017 kostoja që iu ka dhënë Bektel & Enka-s ka mund të jetë prapë 14 milionë, ka mund të jetë më shumë, ka mund të jetë më pak, sado që kanë vendosur ata që kanë vendosur”- ka thënë avokati Urim Vokshi.

Ai ka thënë se klienti i tij akuzohet për rastin e ’53 milionëshit’ që kanë ndodhur kur ky nuk ka qenë drejtor i prokurimit.

“Besim Tahiti 13 ditë pasi e ka nënshkruar këtë marrëveshje për zgjatjen e afatit është larguar nga puna, prej asaj pozite, u shku në departament tjetër”- ka thënë Vokshi.

Në emisionin #KallxoPernime është duke u zhvilluar debati lidhur me Dosjen e Pal Lekajt për 53- milionëshin pë Bektel-Enka për autostradën.

Pal Lekaj, ish-ministri i Infrastrukturës, tani deputet i AAK-së kishte reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore që e shpalli atë fajtor për rastin e “53-milionëshit”.

Zyra për Media e AAK-së ka dërguar një reagim të deputetit Pak Lekaj pas shqiptimit të dënimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Lekaj përmes këtij reagimi, paralajmëroi ankimim të vendimit në Gjykatë të Apelit, duke thënë se është i bindur që vendimi do të shpallet i pavlefshëm.

Reagon Pal Lekaj: Jam i bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi