ZRRE njofton se do ta publikojë një raport për konsultim publik për çështjen e rritjes së tarifave të energjinë elekrike

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka njoftuar më 25.02.2025 se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë paraqitur kërkesat për përshtatjen e të hyrave të lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në ZRRE në përputhje me kërkesat ligjore. Teksa aplikimet janë publikuar në faqen elektronike.

Ndërsa pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE-ja njofton se do të hartojë dhe publikojë një raport për konsultim publik, ku do të përfshihen analizat dhe rekomandimet përkatëse.

Sipas ZRRE, ky raport do të jetë i disponueshëm për konsultim për një periudhë dyjavore, gjatë së cilës qytetarët dhe palët e interesuara mund të shprehin komentet dhe sugjerimet e tyre.

“Pas shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vlerësim përfundimtar, i cili do të dorëzohet për miratim në Bordin e ZRRE-së”- thuhet në njoftim.

Deri në publikimin e këtij raporti, ZRRE njofton se çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave është i pavërtetë, i paargumentuar dhe nuk duhet të merret parasysh.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë fton të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara që të ndjekin raportet dhe informacionet e publikuara nga ZRRE dhe të kontribuojnë me komentet e tyre gjatë periudhës së konsultimit publik.

“Kjo është një mundësi për të siguruar që çdo ndryshim në strukturën e tarifave të energjisë të jetë i bazuar në një analizë të thellë dhe të marrë parasysh interesat e të gjithë konsumatorëve”- theksohet në njoftim.

Ndryshe, kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kreu i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

“Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave” – ka thënë Fejzullahu, por nuk  ka saktësuar se sa është kërkesa e tyre për rritje.

Aktualisht, thot ai, ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve.

Pas përfundimit të këtij procesi, ai thot se ky institucion do të hartojë një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm edhe për konsultim publik.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Në vazhdimësi janë publikuar informacione të ndryshme për çmimin e energjisë elektrike në rrjetin social TikTok. Këto video mund t’i gjeni KËTU dhe KËTU.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

ZRRE: Kompanitë energjetike kërkojnë rritjen e çmimit të rrymës