Obiliqi - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Zotimet e kandidatëve për kryetar për ngrohjen qendrore në Obiliq

Kandidatët për kryetar të Obiliqit në emisionin “Debat Përnime” për balotazhin në këtë komunë kanë dhënë premtimet e tyre për rregullimin e ngrohjes qendrore të qytetit. 

Kandidati për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se këtë projekt do ta finalizojnë brenda dy vitesh.

“Gjithsesi do ta bëjmë [ngrohjen qendrore]. Nuk është edhe shumë e lehtë kjo kyçje me ujin e nxehtë nga termocentrali, mirëpo ne në dy vitet e ardhshme do ta kyçim me ujë të ngrohtë qytetin dhe pastaj do të vazhdojmë”, u shpreh ai. 

Premtim për këtë temë dha edhe kandidati dhe kryetari aktual Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq.

“Për ngrohtoren publike, patjetër që do të përfundojmë këtë mandat. Ne kemi aplikuar edhe për projektet e IPA-s dhe tani jemi në ndërtim të sistemit të pompimit. Gjithashtu i kemi ndarë 2 milionë euro për vitin e ardhshëm për shpërndarje të rrjetit”, tha ai. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit. 

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Obiliq: Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i IQO për kryetar të Obiliqit, Xhafer Gashi, në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 975 vota apo 48,12 për qind. Kurse kandidati i LVV-së, Halil Thaçi, ka siguruar 2 mijë e 507 vota apo  20,19 për qind.