Foto: Termokos

Mbyllet një pjesë e rrugës "Agim Ramadani" në Prishtinë për shkak të kyçjes së gypit kryesor të ngrohjes

Ngrohtorja e Prishtinës “Termokos” ka njoftuar se sot edhe nesër do të mbyllet për qarkullim një pjesë e rrugës “Agim Ramadani” për shkak të punimeve, që po realizohen për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, do të ndërpritet qarkullimi në një pjesë të rrugës “Agim Ramadani”.

Përkatësisht në segmentin nga “Shtëpia e Sporteve” deri tek ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Sipas njoftimit, ndërprerja e qarkullimit në këtë rrugë ka qenë e domosdoshme për të mundësuar kyçjen në gypin kryesor të ngrohjes për 62 objekte banesore me 767 njësi banimi të lagjes në afërsi të Parkut të qytetit si dhe pjesës së Qytetit të vjetër tek rruga “Bajram Kelemendi”.

“NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit në këtë rrugë” – përfundon njoftimi.

Sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë është ndërtuar në vitet e 70-ta dhe fillimisht ka ofruar ngrohje më mazut. Në nëntor të vitit 2014, sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë është kyçur në termocentralin Kosova B, i cili ishte shndërruar në termocentral me kogjenerim.

Kështu, në vend të djegies së mazutit që shkakton emetime të larta, avulli i termocentralit shfrytëzohet për ngrohje. Projekti është financuar përmes një projekti të disa donatorëve përmes KfW-së e Termokosit me një shumë prej rreth 37 milionë euro.

Më pas bazuar në masterplanin e ngrohjes dhe me financim të donatorëve të ndryshëm është zgjeruar vazhdimisht rrjeti i ngrohjes në kryeqytet.

Po ashtu, përmes një projekti qëë kap vlerën 80 milionë euro, në fund të vitit 2022, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Gjermane për Zhvillim për parkun ‘Solar4 Kosovo’.

Marrëveshje e veçantë për realizimin e këtij projekti është nënshkruar edhe mes Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësuesi i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Pablo Obrador Alvarez dhe Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”,  Fisnik Osmani.Sipas njoftimit të BERZH projekti kap vlerë më shumë se 80 milionë euro ku përfshihen dy grante nga Banka Gjermane për Zhvillim, KFW dhe Bashkimi Evropian.

Përmes këtij projekti do mundësohet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes në pjesë të lagjeve të Prishtinës ‘Arbëria’ dhe ‘Tophane’. ër këtë projekt është ndarë parcelë 25 hektarë në fshatin Shkabaj, ku përmes energjisë nga panelet fitojnë rreth 12 mijë konsumatorë të rinj të kryeqytetit.