Rryma, Kursimi i energjisë elektrike, Foto: Pixabay

Në cilat komuna po bëhet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e ngrohtoreve qendrore?

Obiliqi, Mitrovica, Zveçani, Peja, Gjilani, Peja, Prizreni dhe Drenasi janë komuna potenciale në të cilat mund të ndërtohet rrjeti i ngrohtoreve qendrore.

Tash e 10 muaj në këto tetë komuna është duke u zhvilluar studimi i fizibilitetit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se së shpejti do të ketë rezultate të dala nga ky studim i fizibilitetit.

“Gjatë konsultimeve publike me qytetarë në kuadër të strategjisë kërkesa dhe nevoja për ngrohje ka qenë një dëri kërkesat kryesore. Jam shumë e lumtur që së shpejti do të kemi rezultate dhe së shpejti mund të fillojmë investimet në ato komuna në të cilat ndërtimi i impianteve të tilla është fizibël” – tha ajo.

Ministrja Rizvanolli tha se ngrohtoret do të ndërtohen duke u fokusuar në burime të ripërtritshme të energjisë.

“Studimi ka për qëllim analizimin e ndërtimit të ngrohjeve qendrore duke u fokusuar në burime të ripërtritshme siç janë energjia diellore, ujërat nëntokësore, biomasa, nxehtësia gjeotermale, biogazi, shfrytëzimi i humbjes së nxehtësisë nga termocentralet apo industria ose kogjenerinimi  nga burimet e ripërtritshme”- theksoi ajo.

Aktualisht në funksion është ngrohja qendrore në Prishtinë dhe ngrohtorja me biomasë në Gjakovë.

Më 30 nëntor 2022 është nënshkruar kontrata për shtrirjen e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në komunën e Obiliqit.

Brenda dy viteve, Komuna e Obiliqit pritet të bëhet me ngrohje qendrore. Kjo komunë veçse ka filluar procedurat për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore, i cili pritet t’i kushtojë 13 milionë euro.

Komuna ka thënë se faza e parë pritet t’i kushtojë komunës 13 milionë euro, por që pritet të ketë lëvizje të kësaj shume për shkak të rritjes së çmimeve në bursë.

Ngrohtorja qendrore në Obiliq do të funksionojë me avull nga termocentrali “Kosova B”.

Komuna e Obiliqit është përfituese në projektin e Bashkimit Evropian për asistencë teknike në vlerë prej 2 milionë euro, i cili filloi në tetor 2021 për të mbështetur përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Ngrohjen Qendrore.

Kostot totale të projektit për “Sistemet e Ngrohjes Qendrore në Kosovë” vlerësohen të jenë më shumë se 160 milionë euro.