Albin Kurti, vizitë në "Trepçë", Foto: Facebook

Çfarë premtonte Albin Kurti për “Trepçën”?

Shefi i Qeverisë së Kosovë, Albin Kurti, sa ishte në opozitë kritikonte fort partitë e tjera që, sipas tij, kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” pas dore.

Gjatë një vizite në fund të muajit janar në vitin 2021, Kurti thoshte se mosinvestimi në “Trepçë” është krim.

“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë…” – deklaronte Albin Kurti.

Disa muaj pasi erdhi në krye të Qeverisë, Kurti kishte premtuar investime të mëdha në ndërmarrjen që dikur kishte nam jo vetëm në Kosovë.

“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime në “Trepçë” për vitet 2022 dhe 2023. Me projektin tonë, për Fondin Sovran e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik “Trepçën”” – thoshte Kurti më 20 tetor 2021.

Por, investimet e premtuara për “Trepçën” nuk u bënë realitet ende. Deri më tani, Qeveria që Albin Kurti drejton nuk ka ndarë më shumë se 15 milionë euro për ndërmarrjen publike. Shumica e parave të ndara kanë shkuar për paga.

muajin shkurt të këtij viti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se ekzekutivi qendror mori vendim për një kredi për “Trepçën” në shumë prej 20 milionë euro.

Por, as kjo kredi, deri më tani, nuk është realizuar.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, tha se Qeveria nuk do ta lërë keq ndërmarrjen, duke premtuar se procedura për kredi ndaj “Trepçës” është drejt finalizimit.

“Është në prag të finalizimit, paret e shtetit shkojnë përmes Ministrisë së Financave, është një përkushtim politik edhe i Qeverisë sonë, edhe i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do ta lëmë “Trepçën” keq, por duhet me u siguru që paratë shkojnë aty ku duhet” – ka thënë Mjeku.

Gjiganti ekonomik në vazhdimësi, që disa vite, është përballur me mungesë të investimeve nga shteti. Makineritë e vjetruara kanë ndikuar që prodhimi në ndërmarrje të bjerë për rreth 50 për qind.

Përgjegjësit e makinerisë në minierën e Stan Tërgut thanë se aktualisht disa makineri kanë mbetur jashtë funksionit për shkak të mungesës së pajisjeve rezervë. Ndërsa, u bënë thirrje menaxhmentit e Qeverisë që të investojnë për blerje të pajisjeve e makinerive të reja.