Mbledhja e Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike. Foto: KALLXO.com.

ZKA evidentoi një varg parregullsish rreth subvencioneve dhe sponsorizimeve, ministri Çeku raporton në Komisionin për mbikëqyrjen e financave

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, kanë raportuar sot, më 28.05.2024, në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike lidhur me gjetjet e raportit të auditimit të performancës “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”.

I publikuar në mars 2024, raporti i auditimit të performancës “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit (2020-2022) i Zyrës Kombëtare të Auditimit, ka evidentuar një varg parregullsish sa u përket subvencioneve dhe sponsorizimeve të organizatave sportive nga MKRS-ja dhe ATK.

Sipas këtij raporti, organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022 nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë euro të financuara nga MKRS-ja. Po ashtu, sipas raportit, kompanitë kanë deklaruar rrejshëm se kanë bërë sponsorizime në sport, financim të federatave sportive pa licencë, etj.

Hykmete Bajrami, kryetare e KMFP-së, tha se sipas ZKA-së raportohet për ikje të tatimit në fitim nga ana e bizneseve, dhe ka raste kur kompanive u është njohur sponsorizimi nga ATK-ja pa e marrë vërtetimin nga MKRS-ja.

“Nuk ka raportim të mirëfilltë, ka raste kur fondet janë kthy mbrapa te pronarët e bizneseve. Gjithashtu ka mungesë të mbikëqyrjes nga Departamenti i Sportit në MKRS për fondet të sponsorizimit. Janë diku mbi 5.2 milionë për sponsorizime për sport gjatë 2020 -2022”- tha Bajrami.

Keqpërdorimi i fondeve për sponsorizim

Deputetja Mirlinda Tishukaj- Sadiku, anëtare e KMFP-së, duke raportuar rreth raportit tha se ZKA ka hasur raste ku sponsorizimet janë përdorur për qëllim të marketingut të kompanive private (sponsorët).

Sipas saj, ZKA ka konstatuar se ATK-ja nuk ka arritur t’i evidentojë dhe t’i gjobisë kompanitë që janë liruar nga tatimi për sponsorizim, por që nuk i kanë dhënë fondet për sponsorizim.

“Nga mostrat që i ka analizuar ZKA rezulton se 1,573,246 euro është dëmtuar buxheti i shtetit, këtu hynë 490,374 euro që janë liruar bizneset nga tatimi dhe këto fonde nuk janë  transferuar në klube, ndërsa mbi 1 milion bizneset kanë sponsorizuar klubet pa u pajisur me certifikatën nga MKRS”-tha ajo.

Kurse, ministri Çeku, duke u pajtuar pjesërisht me gjetjet e ZKA-së, ka thënë se MKRS është duke i adresuar rekomandimet e dhëna nga ZKA-ja lidhur me raportin.

“Vitin e kaluar në koordinim me ZKA-në kemi kërkuar që të bëhet një auditim i veçantë për sponsorizime në MKRS me theks te sporti, dhe në të njëjtën kohë nga raporti ynë i brendshëm për 2021 për sponsorizime, dhe dyshimet i kemi adresuar në Krimet Ekonomike dhe kemi kërkuar hetim”- tha ai. Sipas Çekut, ka nevojë për rishikim të Ligjit për sponsorizim.

Kurse, Myrvete Gashi nga ZKA-ja tha se gjetjet e raportit janë të drejtpërdrejta dhe kanë të bëjnë me parregullsi për mbështetje të federatave sportive të palicencuara, por edhe pranim të sponsorizimeve pa pasur dokumentacionin përkatës.

“352 kompani kanë qenë të liruara më shumë në ATK sesa kanë qenë në listat e MKRS-së prej tatimit në fitim”- tha ajo, duke shtuar se raporti përmban 5 rekomandime për MKRS.

Ilir Murtezaj, drejtor i ATK-së, tha se ndaj bizneseve përfituese të cilat kanë deklaraur sponsorizimet pa pasur certifikatën e MKRS, apo pa dokumentacion të rregullt, janë marrë masa. “Ne i kemi trajtuar rastet e evidentuara në raport, i kemi detyruar kompanitë, jo vetëm 2 raste, por të gjitha rastet, të paguajnë detyrimet tatimore”- tha ai, duke kundërshtuar deklarimet se ATK-ja nuk ka vepruar për të parandaluar keqpërdorimin e lëhtësirave tatimore.

Mbledhja e KMFP-së, ku është shqyrtuar raporti i auditimit të performancës “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”, nuk kaloi pa përplasjen e deputetëve të pozitës dhe opozitës, jo vetëm lidhur me raportin e ZKA-së për subvencionimin dhe sponsorizim të organizatave sportive.

 

ZKA: Organizatat sportive nuk raportuan shpenzimet e subvencioneve 3.5 milionë euro nga MKRS