Ilustrim

MKRS jep mbi 270 mijë euro në mbështetje të botuesve të librit

Mbi 270 mijë euro është shumë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka dhënë për mbështetjen e botuesve për botimin e veprave të 186 autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Vendimi për mbështetjen e botuesve për mbështetje të veprave të ndryshme është marrë nga Këshilli i Librit i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe është publikuar më 30.05.2024 në ueb-faqen e ministrisë.

Vendimi i MKRS për mbështetjen e botuesve për botim të veprave të autorëve të ndryshëm, është kritikuar nga disa botues kosovarë.

Sipas listës së publikuar, në bazë të konkursit të shpallur më datë 29.01.2024 për përkrahje financiare për botimin e librave për vitin 2024, janë mbështetur 186 autorë nga 35 shtëpi botuese në vlerë prej 272,900 euro.

Po sipas listës, shtëpitë botuese kanë marrë mbështetje për një deri në shtatë libra të autorëve, duke përfshirë edhe mbështetje për botimin e komplet veprave të disa autorëve. Shuma fillestare për mbështetjen e një autori nisë me 500 deri në 4 mijë euro për botimin e veprës së Lev Tolstoit, “Lufta dhe paqja”, botimi i plote në katër vëllime.

Ndërkaq me nga 10 mijë euro, MKRS ka mbështetur botimin e kompletit të veprave të Azem Shkelit, Adem Gashit dhe Edith Durhamit. Kurse me 6 mijë euro kompletin e veprave të Qerim Ujkanit e 5 mijë euro për botimin e komplet veprës së Ali Huruglicës.

Lista e përzgjedhjes së dorëshkrimeve të veprave të autorëve që do të mbështetet nga MKRS është komentuar në mënyra të ndryshme nga botuesit kosovarë, që nga lëvdatat për ministrinë deri tek kritikat se janë mbështetur vepra të ribotuara dhe nuk janë mbështetur autorë të dëshmuar të letërsisë shqipe.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ka thënë për KALLXo.com se është për t’u përshëndetur fakti se, për të dytin vit me radhë, MKRS mbështet librin konsiderueshëm.

“Kërkesa që vinte nga Shoqata e Botuesve të Kosovës për mbështetjen e librit u prit pozitivisht nga Ministria çka ndikoi në fushën e librit ndjeshëm. Me Thirrjen për Autorë, Ndihmë në Botim dhe Blerje Librash janë krijuar mekanizma të drejtpërdrejtë që mundësojnë botime më cilësore e më shumë si sasi. Autorë vendorë e të huaj, komplete veprash e vepra të veçanta tashmë mundësohen si botime falë një mbështetjeje të tillë”- ka thënë ai.

Mbështetja për ribotime

Ndërsa botuesi Berat Dakaj ka kritikuar listën e përzgjedhjes nga Këshilli i Librit. Ai ka thënë se lista e përkrahjes së dorëshkrimeve-veprave që do të mbështeten për botim nga MKRS është e mbushur me ribotime, ndërsa nuk janë mbështetur shkrimtarë të dëshmuar vendas e të huaj.

“Lista e përkrahjes financiare e botimit të librit nga MKRS-ja, përplot me vepra të ribotuara nga dhjetëra herë nga botues të Kosovës e të Shqipërisë. Prijnë botimet e ribotimet e Rilindjes. Veprën e Viktor Hugos, për herë të parë të përkthyer në gjuhën shqipe, nuk e përkrahin as në vitin e dytë të propozimit, anëtarët e Këshillit të Librit”- ka thënë për KALLXo.com berat Dakaj, themelues dhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Armagedoni”.

KALLXO.com ka pyetur MKRS-në, përkatësisht Këshillin e Librit rreth kritereve mbi të cilat ka bërë përzgjedhjen e veprave të ofruara nga botuesit për mbështetje, por nuk ka marrë përgjigje deri në botimin e artikullit.

Sipas MKRS, përzgjedhja e veprave të botuesve është bërë nga Këshilli i Librit, bazuar në Ligjin për Veprimtari Botuese dhe Librin.