
Komunat model për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së
Për çdo vit Zyra Kombëtare e Auditimit jep rekomandime për institucionet publike që i auditon, për shkeljet të cilat evidentohen në raporte. Me qëllim të përmirësimit të shërbimeve, mënyrës se si shpenzohet paraja publike e planifikimi i duhur i projekteve, ZKA-ja në çdo raport thekson rëndësinë e adresimit të rekomandimeve.
Rrjedhimisht, pasqyrat financiare në përputhje me standardet dhe opinioni i pamodifikuar për komunat, u jep atyre një mundësi më shumë për përfitimin e Grantit të Performancës Komunale, rritë transparencën dhe llogaridhënien, si dhe ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucionit.
Në vitin 2022, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 352 rekomandime për komunat e Kosovës. Ky numër i rekomandimeve është më i vogël krahasuar me vitin paraprak. Sipas raportit vjetor të Auditimit, komunat në vitin paraprak kanë marrë 438 rekomandime. Komunat të cilat kanë adresuar numrin më të madh të rekomandimeve sipas ZKA-së janë Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Peja, Rahoveci, Kamenica, Kaçaniku, Shtimja, Istogu dhe Mamusha.
Komuna e Gjakovës në raportet e dy viteve të fundit ka pranuar gjithsej 35 rekomandime nga ana e ZKA-së, prej të cilave 20 rekomandime kanë qenë në raportin për vitin 2021 dhe 15 në raportin për vitin 2022. Nga 20 rekomandime të dhëna në raportin e vitit 2021 janë zbatuar 11 rekomandime ndërsa 9 nuk janë zbatuar. Në ndërkohë, për 15 rekomandimet e dhëna në raportin e vitit 2022, në përgjigjet e ofruara më 03.05.2024, Komuna e Gjakovës ka thënë se ka zbatuar 13 prej tyre, ndërsa 3 të tjera janë pjesërisht të zbatuara. Raporti i Auditimit për Gjakovën për vitin 2023 pritet të publikohet në qershor 2024, në të cilin do të përfshihet edhe zbatueshmëria e rekomandimeve të vitit 2022.
Zëdhënësi i Komunës së Gjakovës, Artan Haraqia, thotë se një ndër sfidat kryesore për zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës ka qenë bindja e zyrtarëve përgjegjës për seriozitetin e gjetjeve dhe ndryshimin e veprimeve të zyrtarëve. Sipas Haraqisë, kjo me qëllim të instalimit të një kontrolli të brendshëm, që të sigurohet se e njëjta gjetje të mos përsëritet.
Për zbatim të rekomandimeve të dhëna nga ZKA-ja, Komuna e Gjakovës përmes kryetarit të komunës formon një grup punues për shqyrtimin e rekomandimeve dhe për hartimin e Planit të Veprimit për implementimin e rekomandimeve të dhëna.
Më pas, pas hartimit të planit dhe përcjelljes së veprimeve që duhet ndërmarrë nga njësitë përkatëse, zbatimi i tyre rishikohet periodikisht dhe për të njëjtat raportohet çdo gjashtë muaj tek ZKA-ja.
“Grupi punues formohet në baza vjetore pasi të pranohet raporti përfundimtar i auditimit nga ZKA dhe si zakonisht ka tre zyrtarë. Sidoqoftë, nga ky vit rekomandimi është që të zgjerohet numri i zyrtarëve relativisht me gjetjet e dhëna nga ZKA, në mënyrë që zyrtari që do të merret me implementimin e rekomandimit përkatës të jetë edhe pjesë e grupit punues” – ka thënë tutje Haraqia.
Përgjatë këtyre viteve, pra 2021 dhe 2022, fushat në të cilat ka pasur më së shumti rekomandime për Komunën e Gjakovës kanë qenë financat, keqklasifikimi i shpenzimeve, subvencionet, prokurimi apo menaxhimi i kontratave.
Cila është strategjia e Komunës së Prizrenit për adresim të rekomandimeve?
Nga Komuna e Prizrenit, që është një ndër komunat me më së shumti rekomandime të adresuara, udhëheqësi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm, Agron Hoxha, ka thënë se komuna pas çdo raporti të publikuar krijon një Plan Veprimi në të cilin zakonisht përcaktohet edhe orari i përcjelljes së rekomandimeve.
“Gjithashtu kryetari i komunës mban takime me grupin punues për përcjelljen e rekomandimeve ku diskutohen veprimet e ndërmarra, sfidat e paraqitura si dhe propozime të mundshme se si duhet të adresohen këto rekomandime. Gjithashtu gjatë mbledhjeve në kolegjiumin e drejtorëve në prezencë edhe të udhëheqësit të auditimit te brendshëm, diskutohen hapat dhe veprimet lidhur me zbatimin e rekomandimeve qoftë të auditimit të brendshëm apo të jashtëm” – ka thënë Hoxha.
Me vendim të kryetarit të komunës është formuar grupi punues për ofrimin e komenteve në draft-raportin e auditimit, përgatitjen e Planit të Veprimit dhe rishikimin e ecurisë së zbatimit të rekomandimeve në raportin final.
“Ky grup punues ka kryesuesin i cili njëkohësisht është edhe koordinator i procesit dhe është i përbërë nga 18 zyrtarë, si dhe me përkrahje direkte të udhëheqësit të auditimit të brendshëm. Pasi që të finalizohet raporti dhe përgatitet plani i veprimit koordinatori i grupit punues ne koordinim me Udhëheqësin e Auditimit të Brendshëm, punon ngushtë vetëm me ata zyrtarë të drejtorive ku ka gjetje dhe janë dhënë rekomandime në raportin final” – ka bërë të ditur tutje Hoxha.
Në vitin 2021, Komuna e Prizrenit ka marrë 16 rekomandime nga ana e ZKA-së, prej të cilave 9 i ka zbatuar. Në vitin 2022 ka marrë 14 rekomandime, por që nuk ka ofruar të dhëna se sa prej tyre janë zbatuar, pasi rishikimi bëhet gjatë hartimit të raportit të vitit 2023, i cili publikohet nga ZKA në qershor 2024.
Si u bë Mitrovica një ndër komunat që kanë zbatimin më të madh të rekomandimeve?
Ndërsa Komuna e Mitrovicës së Jugut në raportin e vitit 2021 ka pasur 17 rekomandime nga Zyra Kombëtare e Auditimit, prej të cilave 10 i ka zbatuar, 4 janë zbatuar pjesërisht dhe 2 nuk janë zbatuar. Kurse në vitin 2022, komuna që udhëhiqet nga Bedri Hamza ka marrë 11 rekomandime, nga të cilat 4 janë rekomandime të reja, dy rekomandime të përsëritura dhe pesë rekomandime pjesërisht të përsëritura. Në përgjigjet e datës 15.05.2024, Komuna e Mitrovicës ka thënë se nga 11 rekomandimet e marra në raportin e vitit 2022, 5 prej tyre janë zbatuar, 3 janë ende në zbatim dhe për 3 të tjera nuk kishte filluar zbatimi.
Sipas zëdhënëses së Komunës së Mitrovicës së Jugut, Blerina Kastrati, rritja e kontrollit të brendshëm dhe komunikimi mes zyrtarëve në komunë ka ndikuar që zbatimi i rekomandimeve të jetë më i madh dhe numri i rekomandimeve të jetë më i vogël.
Ajo ka treguar se në vitin 2022, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka themeluar Komision të veçantë për hartimin e planit të zbatimit të rekomandimeve dhe në koordinim me zyrtarët kompetentë, kanë arritur që Mitrovica të jetë një ndër komunat me zbatimin më të lartë të rekomandimeve.
“Komisioni i vitit 2022 ka qenë i përbërë nga pesë zyrtarë dhe gjithashtu të përfshirë janë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe sektorëve ku ka pasur të gjetura, si dhe zyrtarët financiarë e administrativë në Komunën e Mitrovicës” – ka shtuar Kastrati.
Komunat me progresin më të madh – si qëndrojnë komunat e tjera?
Komunat e tjera të cilat janë në mesin e atyre që kanë numrin më të madh të rekomandimeve të zbatuara janë Kamenica, Istogu, Shtimja, Kaçaniku, Rahoveci, Mamusha.
Në raportin e vitit 2022 është evidentuar se Komuna e Pejës nga 14 rekomandimet që kishte marrë në vitin paraprak, 9 prej tyre i kishte zbatuar, 4 rekomandime nuk i kishte zbatuar, ndërsa një rekomandim më nuk ka qenë i zbatueshëm. Gjithashtu po në këtë raport janë evidentuar edhe 8 rekomandime, zbatueshmëria e të cilave do të vlerësohet në raportin e ardhshëm të ZKA-së, nga të cilat 4 janë rekomandime të reja dhe 4 rekomandime të përsëritura.
Edhe Rahoveci nga 14 rekomandimet që i kishte marrë në raportin e vitit 2021, në vitin 2022 ishte evidentuar se 9 prej tyre i kishte zbatuar, një ishte në proces dhe katër nuk ishin zbatuar. Gjithashtu po në këtë raport janë evidentuar edhe 9 rekomandime zbatueshmëria e të cilave do të vlerësohet në raportin e ardhshëm të ZKA-së, nga të cilat 4 janë rekomandime të reja, 4 rekomandime të përsëritura dhe një rekomandim pjesërisht i përsëritur.
Në raportin e Auditimit të vitit 2022 është vendosur zbatueshmëria e 6 rekomandimeve që Komuna e Mamushës kishte marrë në vitin paraprak. Nga 6 rekomandimeve, sipas raportit të ZKA-së, Komuna e Mamushës katër i ka zbatuar dhe dy i ka zbatuar pjesërisht.
Te Komuna e Kaçanikut kishte rezultuar me 7 rekomandime, 5 prej tyre ishin zbatuar dhe dy nuk ishin zbatuar. Kamenica kishte pranuar 8 rekomandime. Deri në fund të auditimit, 6 rekomandime ishin zbatuar dhe dy rekomandime nuk ishin zbatuar.
Për Komunën e Istogut raporti kishte rezultuar me 14 rekomandime. Prej të cilave sipas ZKA-së, 9 janë zbatuar, për 4 nuk ishin zbatuar dhe një pjesërisht ishte zbatuar. Ndërsa Komuna e Shtimes ka marrë 15 rekomandime, prej tyre, 9 ishin zbatuar dhe 6 nuk ishin zbatuar.
Komuna e Junikut dhe ajo e Hanit të Elezit janë dy nga komunat me më së paku rekomandime të marra nga ZKA-ja. Juniku në raportin e vitit 2022 ka marrë tre rekomandime, prej të cilëve një ka qenë i ri dhe dy të përsëritura. Ndërsa në raportin e vitit 2021, kjo komunë kishte katër rekomandime, prej të cilëve një i ri dhe tri të përsëritura.
Kurse Komuna e Hanit të Elezit, në raportin e vitit 2022 kishte marrë pesë rekomandime, prej të cilave një i ri, dy të përsëritura dhe dy pjesërisht të përsëritura. Kurse në raportin e vitit 2021, kishte 9 rekomandime, prej të cilëve tetë rekomandime të reja.
Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë sezonit auditues 2022/2023 ka kryer dhe 123 auditime për të cilat janë lëshuar raportet përkatëse të auditimit. Nga raportet individuale të auditimit është vlerësuar se 49% e rekomandimeve të dhëna në vitin 2021 janë zbatuar plotësisht. Sipas ZKA-së, krahasuar me vitin 2020, gjendja rreth zbatimit të rekomandimeve ishte pothuajse identike
“ZKA përcjell zbatimin e rekomandimeve nga ana e organizatave buxhetore, në këtë rast komunat, në baza vjetore. Secili raport i auditimit të rregullsisë përmban një kapitull të veçantë për progresin në zbatimin e rekomandimeve ku jepet informacion për nivelin e zbatimit të rekomandimeve nga organizata buxhetore, në krahasim me vitin paraprak” – kanë thënë nga Zyra Kombëtare e Auditimit për KALLXO.com.
Raportet e auditimit për vitin 2023 publikohen nga ZKA në fundin e muajit maj dhe gjatë muajit qershor 2024.
Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.