Zjarrfikësit në Prishtinë nuk kanë mjete për të shuar zjarrin nëse i hyn flaka ndërtesës së Qeverisë

Në vitet e fundit, qyteti i Prishtinës është mbipopulluar e mbindërtuar, mirëpo numri i zjarrfikësve ka mbetur i njëjtë.

Që nga viti 2004, në qendrën e zjarrfikësve të Prishtinës nuk është punësuar asnjë person.

Ndërtesat e larta në Prishtinë po ngriten çdo ditë, mirëpo reagimi në to në rast të ndonjë situate emergjente është i pamundur nga ana e zjarrfikësve të Prishtinës.

Komandanti i zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka, ka konfirmuar për KALLXO.com se ata posedojnë pajisje për fikjen e zjarrin që kapin jo më shumë se katin e shtatë.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Abdullahu.

Ai në një intervistë për “Kallxo Përnime” ka treguar se në rast se ndërtesës së Qeverisë, që ndodhet në qendër të qytetit, apo ndërtesa e ish-Rilindjes, ku janë të vendosur disa institucione qeveritare, i hyn flaka, zjarrfikësit nuk kanë pajisje për të ndërhyrë.

“Kur kam shku me mbrojtë buxhetin, i kam kallxu. Për me qenë argumentues u kam thanë – Jemi në katin e shtatë. Në rast se na hyn flaka nga poshtë, nuk ka si të shuhet”, tregon Abdullahu.

Sipas tij, në raste të tilla duhet ndihma e KFOR-it për të reaguar.