Zhvillimet e fundit nga lufta Rusi - Ukrainë

Një marrëveshje e Senatit të SHBA për të siguruar ndihmë të mëtejshme për Ukrainën është në rrezik të kolapsit, sipas ligjvënësve amerikanë.

Financimi për Kievin zyrtar është ndërlidhur me politikat për të trajtuar fluksin e emigrantëve përtej kufirit SHBA-Meksikë. Mirëpo, përpjekjet për t’u marrë me këtë çështje kanë hasur kohët e fundit një kundërshtim në rritje midis republikanëve të rreshtuar pas ish presidentit Donald Trump.

Rusia dhe Ukraina vazhdojnë t’i kundërshtojnë rrethanat e rrëzimit të një avioni transporti ushtarak rus në rajonin kufitar të Belgorod të mërkurën. Përplasja i la të vrarë të gjithë 74 personat në bord. Rusia pretendon se avioni mbante 65 ushtarë ukrainas të cilët do të shkëmbeheshin dhe se forcat ukrainase e rrëzuan atë. Zyrtarët ukrainas të enjten nuk e mohuan në mënyrë eksplicite rrëzimin e avionit, por thanë se nuk mund të konfirmonin që ushtarët ukrainas në rrugën e tyre për në shkëmbimin e të burgosurve ishin në bordin e avionit. Komisioneri i Ukrainës për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets, i tha Reuters se lista e pasagjerëve e shpërndarë në mediat ruse të të burgosurve të luftës ukrainas kishte mospërputhje në të. “Ne gjetëm shtetas ukrainas në listë, të cilët tashmë janë shkëmbyer më parë”- ka deklaruar ai.

Një gjykatë në Moskë e ka burgosur Igor Girkin, një kritik i shquar ultra-nacionalist i Vladimir Putinit. Një ish-oficer i shërbimit të sigurimit të FSB-së të Rusisë, Girkin u arrestua verën e kaluar në banesën e tij dhe u akuzua për “thirrje për ekstremizëm” pas muajsh kritikash publike në të cilat ai akuzoi Putinin për dështimin për të ndjekur luftën në Ukrainë me energji të mjaftueshme.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (Pace) në Strasburg e ka miratuar njëzëri një rezolutë për fatin e fëmijëve ukrainas të transferuar dhe deportuar me forcë nga Rusia. Rezoluta e lartcekur u bën thirrje parlamenteve kombëtare të miratojnë rezoluta që “njohin këto krime si gjenocid” dhe i kërkon komunitetit ndërkombëtar të bashkëpunojë me Ukrainën për t’i gjurmuar dhe riatdhesuar fëmijët e humbur. Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë lëshoi një urdhër arresti në mars të vitit 2023 për Vladimir Putin për mbikëqyrjen e rrëmbimit të fëmijëve ukrainas.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, e ka vizituar Kievin, ndërkohë që Vladimir Putin ishte në enklavën ruse të Detit Baltik të Kaliningradit, që kufizohet me Lituaninë. Kremlini zyrtar ka thënë se vizita nuk kishte për qëllim të japë ndonjë mesazh për shtetet anëtare të NATO-s.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, i është përgjigjur kryeministrit hungarez Viktor Orbanit i cili ka deklaruar se dëshiron më shumë bisedime mes dy vendeve mbi kërkesën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, duke sugjeruar që dyshja të takohen në Bruksel. Orbán kishte bërë një ftesë që diskutimi të zhvillohej në Budapest. Kryetari i parlamentit të Hungarisë, László Kövér, ka thënë se nuk ka urgjencë për ta zgjidhur situatën dhe se përpjekjet e partive opozitare për ta thirrur një seancë urgjente të parlamentit për të debatuar ka të ngjarë të dështojnë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala