Zhvillimet e fundit nga lufta Rusi - Ukrainë
SHBA ka vendosur sanksione ndaj tri subjekteve ruse dhe një individi të përfshirë në transferimin dhe testimin e raketave balistike të Koresë së Veriut për përdorim nga Rusia kundër Ukrainës. “Transferimi i raketave balistike nga Koreja e Veriut në Rusi mbështet luftën e agresionit të Rusisë, rrit vuajtjet e popullit ukrainas dhe minon regjimin global të mospërhapjes”- ka thënë Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit.
Boris Nadezhdin, një kandidat presidencial rus që kundërshton luftën kundër Ukrainës, u takua të enjten me një grup grash të ushtarëve që kërkojnë që burrat e tyre të kthehen nga vija e frontit. Kritiku i vjetër i Kremlinit po mbledh nënshkrime për t’u kualifikuar për ta sfiduar Presidentin Vladimir Putin në zgjedhjet e 15-17 marsit.
Komisioni Evropian i ka ndarë tashmë 1.5 miliardë euro, por dëshiron ta dyfishojë shumën, ka thënë Shefi industrial i BE, Thierry Breton, i cili në fillim të kësaj jave shpalosi idenë e një fondi evropian të mbrojtjes prej 100 miliardë eurosh. Ai tha se kjo do të jetë çështje e komisionit të ardhshëm, që do të emërohet në fund të këtij viti.
Teksa Volodymr Zelenskiy e përfundoi turneun e tij në Letoni, Lituani dhe Estoni, presidenti ukrainas tha se Ukraina është “mirënjohëse” për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot tashmë të dorëzuara, pa të cilat do të ishte “e pamundur t`u mbijetohet” sulmeve, mirëpo kërkoi më shumë dërgesa.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, njoftoi për një paketë të re ndihme, duke thënë se Riga do të dorëzojë “predha artilerie, armë kundërajrore, granata, drone” për Ukrainën këtë vit.
Zvicra dhe Ukraina do të jenë nikoqire e bisedimeve për formulën e paqes në Davos të dielën. Ky është i fundit në një seri takimesh për të mbledhur mbështetje për planin e paqes të Ukrainës dhe do të jetë i katërti i këtij lloji dhe më i madhi deri më tani.
Zyrtarët e lartë të mbrojtjes nga Turqia, Bullgaria dhe Rumania nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në Stamboll për krijimin e Grupit Detar të Kundërmasave të Minave në Detin e Zi (MCM Deti i Zi), i cili do t’i mbikëqyrë operacionet e çminimit në Detin e Zi për të siguruar ujëra të sigurta pas luftës së Rusisë.
Kremlini ka akuzuar SHBA-në se po përpiqet të ushtrojë presion ndaj vendeve evropiane për ta mbështetur konfiskimin e aseteve të ngrira ruse jashtë shtetit për të ndihmuar në financimin e rindërtimit të Ukrainës – një ide që ka marrë vrull.
Përgatiti: Nuhi Shala