Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se situata në Avdiivka dhe në qytetin e afërt të Maryinka mbetet “veçanërisht e vështirë. Sulme të shumta ruse. Por pozitat tona po mbahen.” Forcat ruse kanë bërë një sërë sulmesh të dëshpëruara dhe të përgjakshme në qytetin e shkatërruar të Avdiivka, i parë si porta për të rimarrë Donetsk të kontrolluar nga Rusia dhe pjesën tjetër të Donbasit, të përbërë nga rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Instituti për Studimin e Luftës me bazë në SHBA ka raportuar se forcat ukrainase në Kherson kanë kaluar nga ana e tyre e lumit Dnipro për të zënë pozicione të reja dhe për t’i ndjekur forcat ruse. Rusët po e mbajnë të pushtuar bregun lindor në Kherson, ndërsa bregu perëndimor mbetet i lirë dhe nën kontrollin e Ukrainës, megjithëse granatimet rregullisht nga rusët kanë vazhduar gjatë fundjavës. Rusia ka thënë se ka pasur përpjekje për kalimin e Ukrainës.

Gjashtë personat e vrarë në një sulm me raketa ruse në një qendër shpërndarjeje postare në distriktin Kharkiv të shtunën ishin të gjithë punonjës të postës, të moshës nga 19 deri në 42 vjeç. Nga 17 të plagosurit, shtatë janë në gjendje të rëndë dhe thuhet se “po luftojnë për jetet e tyre”. Sulmi u dënua nga ambasadorja e SHBA në Ukrainë, Bridget Blink.

Mitch McConnell ofroi një mbështetje të fortë të dielën për propozimin e Joe Biden për ndihmë prej 106 miliardë dollarësh të Shtëpisë së Bardhë për Izraelin dhe Ukrainën, duke thënë se ai dhe presidenti janë në thelb “në të njëjtin mendim” për këtë çështje.

Forcat ruse i kanë rrëzuar tri raketa që kishin si shënjestër gadishullin e Krimesë të dielën, tha një zyrtar rus. Gadishulli, të cilin Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, është vendimtar për ofensivën ushtarake të Rusisë, si për furnizimin e trupave në Ukrainën jugore, ashtu edhe për kryerjen e sulmeve me raketa nga deti, raporton AFP.

Ka të ngjarë që Rusia të ketë pësuar 150,000-190,000 viktima të përhershme (të vrarë ose të plagosur përgjithmonë) që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas përditësimit të fundit nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Nëse shtohet numri i të plagosurve të përkohshëm (të shëruarve dhe që do të kthehen në fushëbetejë), ky numër rritet në 240,000-290,000, ka thënë Ministria e Mbrojtjes në platformën Sociale X.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të vizitojë Teheranin të hënën për bisedime me homologët rajonalë, ka konfirmuar zëdhënësi i ministrisë së tij. Agjencia zyrtare e lajmeve iraniane IRNA raportoi më herët se ministrat e jashtëm të Rusisë, Turqisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë janë ftuar në bisedime. Vendet perëndimore e kanë akuzuar Teheranin për mbështetjen e ofensivës së Rusisë në Ukrainë, duke i ofruar asaj sasi të mëdha dronësh dhe armatime të tjera.

Ukraina ka frikë nga mungesa e dronëve për shkak të lëvizjes së Kinës për të vendosur kufizime në eksporte, raporton BBC. Lufta në Ukrainë është konflikti i parë i armatosur që ka një përdorim kaq të gjerë të dronëve, të cilët përdoren nga të dyja palët. 

Gazprom i Rusisë, që kërkon ta kompensojë humbjen e shumicës së tregjeve evropiane, do ta furnizojë me gaz shtesë Hungarinë dhe Kinën. Hungaria është i vetmi anëtar i BE-së, lideri i së cilës, kryeministri Viktor Orbán, ka mbajtur lidhje miqësore me Putinin dhe shihet si kundërshtari kryesor i mundshëm i një vendimi që pritet në dhjetor nëse do të hapen bisedimet e pranimit në BE me Ukrainën, i cili do ta kërkonte mbështetjen unanime të 27 anëtarëve të bllokut të BE-së./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala