Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, udhëton për në Bruksel, do të takohet me 'homologun' serb

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit për t’u takuar me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në takimin i cili pritet të mbahet nesër mes dy kryenegociatorëve pritet të diskutohet për hapat drejt zbatimit të aneksit të marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Kurti për marrëveshjen e Ohrit: Duhet të zbatohet e tëra, nuk duhet copëtuar duke marrë pjesët e preferuara

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon javën tjetër, Bislimi e Petkoviq takohen në Bruksel