Foto: Mirosllav Lajçak / Twitter

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon javën tjetër, Bislimi e Petkoviq takohen në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi si dhe homologu i tij nga Serbia, Petar Petkoviq, do të takohen javën e ardhshme në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian për të diskutuar për hapat drejt zbatimit të ankesit të marrëveshjes të dakorduar në Ohër.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media tha se do të ketë takime tjera në nivel të lartë për të cilat do të njoftojnë në vijim, teksa konfirmoi takimin e javës së ardhshme mes kryenegociatorëve.

“Dialogu si i tillë vazhdon. Do të ketë takime tjera në nivel të lartë për të cilat do të njoftojmë kur të jetë e përshtatshme. Ajo që mund të them në këtë moment është se një takim i kryenegociatorëve do të zhvillohet javën që vjen në Bruksel. Kryenegociatorët nga të dyja palët janë ftuar nga lehtësuesi i dialogut që të vijnë në Bruksel dhe të avancojnë përpara me hapat e parë për implementimin e gjithë asaj që kanë rënë dakord” – ka deklaruar Stano.

Stano është shprehur i kënaqur që sipas tij, dialogu po bëhet më i popullarizuar në rajon dhe se po organizohen gjithnjë e më shumë takime, përderisa ka komentuar edhe ofertën e kryeministrit malazez, Dritan Abazoviq që takimi i ardhëm për dialogun të mbahet në Mal të Zi.

“Na vjen mirë që dialogu po bëhet kaq i popullarizuar në rajon dhe gjithnjë e më shumë vende po ofrohen që të jenë mikpritës të tij, por le të shkojmë hap pas hapi pasi që dialogu është i bazuar në Bruksel dhe kemi arritur një hap shumë të rëndësishëm në Ohër, pas arritjes së dakordimit  mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ku ata u pajtuan edhe për marrëveshjen, edhe për aneksin e implementimit. Tash fokusi është në implementim” – theksoi Stano.

Më tej, zëdhënësi i BE-së ka paralajmëruar se brenda BE-së po punohet që të rinisë puna në adaptimin e kornizës negoiciuese me Serbinë, më saktësisht Kapitullin 35, dhe në mënyrë përkatëse edhe në rastin e Kosovës.

Çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht dakordimi i arritur mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, javën e kaluar ishte pjesë e diskutimit të liderëve të Bashkimit Evropian në samitin e BE-së.

Shtetet e BE-së në takimin e së enjtes, sipas  Stanos, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejtë detyrimet që rrjedhin nga takimi i Ohrit.

“Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit. Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks”” – ka thënë Stano në një përgjigje për KALLXO.com.

Stano thekson se në ditët në vijim, institucionet e BE-së do të nisin hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian (Udhëheqësit e të 27 Shteteve Anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre’”- tha Stano.

Më tej, Stano shtoi se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka informuar liderët evropianë për bisedimet e Ohrit dhe theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin atë se për çka janë pajtuar, duke shtuar se “çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë”.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Përmbajtja e planit franko-gjerman

BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes